Nga rezidenca e tij në Mar a-Lago, Florida, pas përfundimit të bisedimeve në Riad, Presidenti amerikan Donald Trump ka kritikuar Volodymyr Zelenskyn, i cili u shpreh “i zhgënjyer” që Ukraina ishte lënë jashtë bisedimeve SHBA-Rusi për përfundimin e luftës.

Trump fajësoi Kievin për agresionin dhe tha se Ukraina mund të kishte “bërë një marrëveshje” për të shmangur luftën vite më parë.

Donald Trump: Jam shumë i zhgënjyer. Ju e dini, në Ukrainë janë të mërzitur që nuk kanë një vend në tryezë. Epo, ata mund të ishin pjesë e kësaj para 3 vitesh. Kjo mund të ishte zgjidhur shumë lehtë, vetëm një negociator mund të ishte vendosur këtë vite më parë, që mund të kishte siguruar një zgjidhje vite më parë “pa humbur shumë tokë”.

Trump nuk e sqaroi se çfarë donte të thoshte me këtë, por ai shpesh ka lënë të nënkuptohet se lufta ka nisur nga dëshira e Ukrainës për t’u anëtarësuar në NATO. Ndër të tjera, Presidenti amerikan u shpreh me bindje të plotë se ka fuqinë për t’i dhënë fund një konflikti të tillë.

Ai tha se mund të takohet me Presidentin rus, Vladimir Putin këtë muaj dhe shtoi se nuk do ta kundërshtonte lëvizjen e vendeve evropiane për të dërguar trupa paqeruajtëse në Ukrainë, një ide e diskutuar gjatë një samiti evropian në Paris më 17 Shkurt.

Donald Trump: Nëse ata duan ta bëjnë këtë, kjo është shumë mirë. Dua të them, unë e di që Franca e ka përmendur, të tjerët e kanë përmendur. Mbretëria e Bashkuar e ka përmendur atë. Por të kesh trupa atje, nuk do të kundërshtoja fare, nga ana tjetër SHBA nuk kanë plane për të kontribuar me trupa në Ukrainë për të ofruar garanci sigurie.

Udhëheqësit evropianë janë gjithnjë e më të frikësuar se Trump po i bën shumë lëshime Rusisë, por ai këmbëngul se qëllimi i tij i vetëm ishte “paqja” për t’i dhënë fund luftës më të madhe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Duke folur në Florida, Trump rriti presionin ndaj Zelenskyt për të mbajtur zgjedhje në Ukrainë duke i bërë jehonë një prej kërkesave kryesore të Moskës.

“Kjo nuk është një çështje e Rusisë, kjo është diçka që vjen nga unë dhe gjithashtu vjen nga shumë vende të tjera,” tha ai.

Në një intervistë me transmetuesin publik gjerman ARD, Presidenti ukrainas Volodomyr Zelenskiy mbrojti popullaritetin e tij, duke thënë se 73% e njerëzve e votuan dhe sot të gjithë e mbështesin atë.

Sigurisht që Rusia dëshiron të më heqë qafe. Ndoshta jo më fizikisht, si në fillim të luftës, por politikisht. Dhe kjo është absolutisht e kuptueshme pasi unë jam një person shumë i pakëndshëm, i pakëndshëm për Putinin,” u shpreh Zelensky.

Ndërkohë, Zelensky e shtyu vizitën e tij në Arabinë Saudite këtë javë deri më 10 Mars, një vendim i lidhur me bisedimet SHBA-Rusi. Në Riad, Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov paralajmëroi se Moska nuk do të pranonte trupat e NATO-s në Ukrainë si pjesë e ndonjë marrëveshjeje paqeje, ndërsa Sekretari i Shtetit i SHBA Marco Rubio tha se bisedimet ishin “hapi i parë i një udhëtimi të gjatë dhe të vështirë” për t’i dhënë fund luftës.

Klan News