Presidenti amerikan, Donald Trump, falenderon qeverinë shqiptare për dëbimin e ambasadorit iranian dhe një tjetër diplomati iranian nga vendi ynë. Me anë të një letre drejtuar Kryeministrit Edi Rama, Presidenti amerikan thotë se vendimi është shembull në luftën kundër aktiviteteve terroriste të qeverisë iraniane. Trump thekson se Shqipëria mbetet mike e madhe e SHBA.

“I dashur Z. Kryeministër: Faleminderit për përpjekjet tuaja të palëkundura duke iu kundërvënë Iranit dhe duke iu kundërpërgjigjur veprimeve e përpjekjeve të tij destabilizuese për t’u mbyllur gojën disidentëve anembanë globit. Udhëheqësia e treguar nga ju me dëbimin e Ambasadorit të Iranit nga vendi juaj është shembull i përpjekjeve tona të përbashkëta për t’i treguar qeverisë iraniane se veprimet e saj terroriste në Evropë dhe përreth botës do të kenë pasoja të rënda. Shqipëria ka qenë gjithmonë një mike e madhe e Shteteve të Bashkura dhe unë mirëpres rritjen e partneritetit tonë, ndërsa ballafaqohemi me çështjet e shumta të rëndësishme që të dy vendet tona hasin. Sinqerisht, Donald Trump”

.

Letra u publikua nga Ambasada amerikane në Tiranë, e cila bashkangjitur përcolli edhe mesazhin e saj, ku ndër të tjera thotë se qeveria shqiptare ka treguar udhëheqje të vërtetë duke i dërguar mesazhin e qartë Iranit se veprimet terroriste nuk do të tolerohen, ndërsa e konsideron Shqipërinë partner strategjik.

“E përgëzojmë qeverinë e Shqipërisë për arsye se ndërmori veprime kundër regjimit iranian për komplotin e tij terrorist në tokën shqiptare, duke kërcënuar sigurinë evropiane. Qeveria e Shqipërisë ka treguar udhëheqësi të vërtetë në përpjekjet tona të përbashkëta për t’i dërguar një mesazh të qartë Iranit se kryerja e veprimeve terroriste në Evropë, apo kudo tjetër, është e papranueshme dhe nuk do të tolerohet. Ne qëndrojmë krah për krah me Shqipërinë, aleatin tonë në NATO dhe partnerin tonë strategjik

“.

Të mërkurën, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme njoftoi dëbimin nga Shqipëria të Ambasadorit të Iranit në Tiranë, Golamhosein Mohamadnia dhe një tjetër diplomati, pas dyshimeve se ishin të përfshirë në planifikimin e një sulmi terrorist në vendin tonë.

/tvklan.al