Presidenti amerikan Donald Trump përgëzon qeverinë shqiptare për dëbimin e ambasadorit iranain Gholamhossein Mohammadnia dhe një diplomati të ambasadës.

Në një letër që mban datën 14 Dhjetor, të publikuar këtë të enjte nga ambasada amerikane, Trump e konsideron vendimin si shembull në betejën kundër aktiviteteve terroriste të qeverisë iraniane.

“Faleminderit për përpjekjet tuaja të palëkundura duke iu kundërvënë Iranit dhe duke iu kundërpërgjigjur veprimeve e përpjekjeve të tij destabilizuese për t’u mbyllur gojën disidentëve anembanë globit. Udhëheqësia e treguar nga ju me dëbimin e Ambasadorit të Iranit nga vendi juaj është shembull i përpjekjeve tona të përbashkëta për t’i treguar qeverisë iraniane se veprimet e saj terroriste në Evropë dhe përreth botës do të kenë pasoja të rënda. Shqipëria ka qenë gjithmonë një mike e madhe e Shteteve të Bashkura dhe unë mirëpres rritjen e partneritetit tonë, ndërsa ballafaqohemi me çështjet e shumta të rëndësishme që të dy vendet tona hasin”. 

Dëbimin e diplomatëve iranianë e përshëndeti edhe Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu. Përmes një postimi në Twitter, Netanyahu shkruan se vendimi i Kryeministrit Rama, i tregoi regjimit iranian se planifikimi i një sulmi terrorist ka një kosto.

E kontaktuar nga televizioni Klan, Ministria për Çështjet e Europës dhe Punët e Jashtme tha se vendimi ishte marrë në konsultim me vendet aleate, pasi dy diplomatët dyshohen për përfshirje në aktivitete që cënojnë sigurinë e vendit. Ndërsa zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Bahram Kasemi tha për agjencitë vendase të lajmeve se Shqipëria është viktimë e skenarëve të amerikanëve dhe zionistëve për të dëmtuar marrëdhëniet mes Iranit dhe Europës për këtë situatë tepër të ndjeshme.

Marrëdhëniet mes Tiranës dhe Teheranit janë ftohur që pas vendimit të qeverisë shqiptare në 2013-ën për të strehuar rreth 2 mijë militantë opozitarë iranianë, të cilët u dëbuan nga Iraku ku jetonin prej vitesh.

Tv Klan