Del kundër Kongresit që nuk i miratoi kërkesën për të shtyrë vendimin

Presidenti amerikan Donald Trump, ashtu siç paralajmëroi, nënshkroi urdhrin ekzekutiv për të papunët gjatë qëndrimit në klubin e tij të golfit në New Jersey. Urdhri për të papunët e koronavirusit është bërë pas bllokimit të bisedimeve në Kongres. Sipas Trump kjo pagesë po u vjen në ndihmë miliona amerikanëve që kanë mbetur pa punë për shkak të pandemisë.

Me urdhrin e ri ekzekutiv, qiramarrësit që kanë vështirësi në pagesat e qirave mujore do të ndihmohen nga shteti. Po ashtu për këtë periudhë, Trump vendosi edhe shtyrjen e pagesës së kësteve të kredive studentore, si dhe pezullimin e mbledhjes e taksave të pagave, të cilat paguajnë për Sigurimet Shoqërore dhe programe të tjera federale, për njerëzit që bëjnë më pak se 100,000 dollarë në vit.

Këto vendime janë kundërshtuar nga demokratët dhe janë quajtur të paligjshme. Sipas tyre vendimet e kreut të Shtëpisë së Bardhë do të përballen me sfida ligjore, pasi Kushtetuta e SHBA i jep autoritet Kongresit mbi shpenzimet federale.

Firmosja e këtyre urdhrave nga Trump erdhi pasi republikanët e tij dhe demokratët nuk po gjejnë konsensus për paketën e re financiare në këtë situatë krize, ku Amerika numëron mbi 30 milionë të papunë, ndërkohë që numri i të prekurve nga Covid-19 arriti këtë të diel në mbi 5 milionë, mes të cilëve 165 mijë kanë humbur jetën.

Klan Plus