Presidenti amerikan Donald Trump fiton betejën e parë ligjore me aktoren e filmave për të rritur Stefani Kliford, e njohur ndryshe si Stormy Daniels.

Një gjykatës federal në Shtetet e Bashkuara rrëzoi akuzat e aktores, e cila kishte paditur Trumpin për shpifje. Shkak i akuzës ishte bërë ky postim i presidentit amerikan, i cili thoshte se Daniels ka sajuar historinë e shantazhit ndaj saj dhe se e njeh personin që thotë se e ka kërcënuar me jetë.

Aktorja e filmave për të rritur hodhi në gjyq presidentin, por gjykata vendosi se Trump mbrohej nga Amendamenti i Parë i kushtetutës së SHBA-ve, që garanton lirinë e shprehjes.

Avokati i Stormy Daniels tha për mediat amerikane se do apelonte vendimin.

Sakaq mbetet ende e hapur çështja e pagesës së aktores së filmave për të rritur nga Trump, për të blerë heshtjen e saj. Dyshohet se presidenti përdori fonde të fushatës elektorale, duke shkelur ligjin federal. Trump pranoi pagesën përmes ish-avokatit Michael Cohen, por mohoi se ato para ishin publike.

Tv Klan