“Ne nuk shkojmë në karantinë, nuk dihet cila administratë do të jetë në të ardhmen”

Presidenti në detyrë i SHBA-së,  Donald Trump, ka thyer heshtjen. Për herë të parë në një dalje publike që në momentin që humbi zgjedhjet përballë Joe Biden, Trump ka thënë se administrata e tij nuk do të hyjë në asnjë rrethanë në karantinë.

Edhe pse humbi zgjedhjet, Trump vijon të elaborojë në publik idenë e tij se zgjedhjet janë manipuluar. Këtë herë ai u shpreh se nuk dihet se cila administratë do të jetë në të ardhmen dhe kjo pritet të shihet me kalimin e kohës.

Sa i përket pandemisë, Trump tha se karantina ka kushtuar jetë njerëzish prandaj administrata e tij nuk do ta pranojë diçka të tillë, duke mohuar që ta izolojë sërish vendin.

“Kjo administratë nuk do të shkojë drejt një karantine. Me shpresë, çfarëdo që të ndodhë, kush e di se cila administratë do të jetë në të ardhmen. Besoj koha do ta tregojë, por mund t’ju them se kjo administratë nuk do të shkojë drejt karantinës. Nuk do të jetë e nevojshme. Karantinat kushtojnë jetë njerëzish. Ato kushtojnë shumë probleme. Kura nuk mund të jetë më keq se problemi. E kam thënë shumë herë. Kur shikoni se çfarë ka ndodhur gjatë karantinës, unë thjesht e them me zë të lartë, është e tmerrshme çfarë ndodhi me drogën, alkoolin, depresionin, mbylljen e bizneseve dhe humbjet e punëve Është një gjë e tmerrshme. Kështu që kjo administratë nuk do të shkojë nën çdo rrethanë, nuk do të shkojë në karantinë, por do të jetë vigjilente dhe e kujdesshme. Ne e kuptojmë sëmundjen. Është një sëmundje e komplikuar, por ne e kuptojmë shumë mirë. U kërkojmë amerikanëve që të qëndrojnë të kujdesshëm”, tha Trump.

Donald Trump humbi zgjedhjet përballë rivalit demokrat Joe Biden. Ai ende nuk ka pranuar humbjen, ndërkohë që ka bërë thirrje për hetime pasi mendon se zgjedhjet e 3 Nëntorit janë manipuluar. Kjo gjë është mohuar nga zyrtarët federalë, sipas të cilëve procesi elektoral këtë vit nuk ka pasur probleme./tvklan.al