Donald Trump pranon të dëshmojë përpara prokurorit special mbi dyshimet për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane të 2016-ës. Këtë e pohoi para një grupi gazetarësh në Shtëpinë e Bardhë.

“Bëhet fjalë për 2 ose 3 javë, por do të doja ta bëja.”

Por Trump mohoi se ka pasur ndërhyrje ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane. Tha se nuk i trembej hetimit që quajti sërish “gjueti shtrigash”.

“Sidoqoftë nuk ka asnjë marrëveshje të fshehtë, asnjë ngatërresë.”

Trump tha se aktualisht avokatët e tij po diskutojnë me stafin e prokurorit Robert Mëler për të përcaktuar datën e dhënies së dëshmisë.

Shërbimet amerikane të zbulimit thonë se kanë prova të forta se zyrtarët rusë ndihmuan Donald Trumpin për tu zgjedhur president i Shteteve të Bashkuara.

Deri më tani, zyra e prokurorit special ka ngritur akuza penale ndaj 4 ish-pjesëtarëve të stafit elektoral të Trumpit, përfshirë ish-këshilltarin e presidentit për sigurinë Majkëll Flin dhe ish-drejtuesin e fushatës Pol Manafort. 

Tv Klan