Akuzon Obamën, përdori FBI-në për të sajuar skandalin “Russiagate”

Presidenti amerikan Donald Trump duket se ka nisur sulmin kundër pararendësit të tij në detyrë Barack Obama, pas akuzave të këtij të fundit për një menaxhim katastrofik të situatës së pandemisë së koronavirusit.

Trump iu kundërpërgjigj Obamës me një seri mesazhesh në Twitter që si titull kryesor kishin termin “Obamagate”, duke paralajmëruar fakte për një skandal që përfshin ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara.

Ndër mesazhet që Trump citoi ishte edhe ai i anëtarit republikan të Komisionit për Drejtësinë në Dhomën e Përfaqësuesve në Kongres, Jim Jordan, i cili hedh dyshime se në periudhën kur Obama ishte president, FBI-ja ka hetuar Donald Trumpin dhe njerëzit e tij të afërt që përpara zgjedhjeve të vitit 2016.

Po ashtu që prej vitit 2012 janë përdorur fonde të shërbimit për të ardhurat e brendshme të administratës amerikane për të sulmuar konservatorët republikanë.

Në të gjitha mesazhet hidhen dyshime se skandali “Russiagate” është sajuar nga FBI për të dëmtuar fushatën dhe më pas presidencën e Donald Trumpit.

“Russiagate” ishte një proces hetimor për dyshimet se Trump ishte financuar nga rusët për t’u zgjedhur president. Kjo mund të çojë deri në nisjen e hetimeve për Barack Obamën dhe ish-pjesëtarët e administratës së tij, ku bënte pjesë edhe kandidati demokrat për president Joe Biden, çka mund të dëmtojë fushatën e tij për zgjedhjet e 3 nëntorit.

Tv Klan