Presidenti amerikan Donald Trump ka ashpërsuar tonet kundër presidentit ukrainas Volodymyr Zelenksy, duke i kërkuar atij që të lëvizë shpejt për dhënien fund të luftës pasi në të kundërt nuk do të ketë një shtet, duke nënkuptuar Ukrainën.

“Ai refuzon të ketë zgjedhje, është shumë keq në sondazhet në Ukrainë dhe e vetmja gjë në të cilën ishte i zoti ishte të luante me Biden “si një violinë”. Një diktator pa zgjedhje, Zelensky më mirë të veprojë shpejt ose nuk do t’i mbetet një vend. Ndërkohë, ne po negociojmë me sukses për ti dhënë  fund të Luftës me Rusinë, diçka që të gjithë po e pranojnë se vetëm “TRUMP” dhe administrata Trump mund ta bëjë”, tha Trump.

Trump në rrjetin social ‘Truth’ e ironizon presidentin ukrainas duke e cilësuar si një komedian modest të suksesshëm, se i nxiti Shtetet e Bashkuara të Amerikës të shpenzonin 350 miliardë Dollarë për të shkuar në një luftë që nuk mund të fitohej, që sipas tij nuk duhej të fillonte kurrë.

“Biden nuk u përpoq kurrë, Evropa ka dështuar të sjellë paqen dhe Zelensky ndoshta dëshiron të mbajë “trenin e ndihmave”. Unë e dua Ukrainën, por Zelensky ka bërë një punë të tmerrshme, vendi i tij është shkatërruar dhe miliona njerëz kanë vdekur pa qenë nevoja”, tha Trump.

Ky reagim i ashpër i Trump erdhi pasi Zelensky para takimit në Kiev me të dërguarin e posaçëm të Uashingtonit për Ukrainën Kith Kellog tha se Trump po keqinformohet nga Rusia.

“Për fat të keq, presidenti Trump, të cilin e respektojmë si liderin e një vendi për të cilin kemi respekt dhe që na ka mbështetur gjithë kohës, tani po keqinformohet”, tha Zelensky.

Ndërkaq, presidenti francez Emmanuel Makron ka thirrur një samit të dytë urgjent në Paris, këtë të mërkurë me krerët e vendeve që nuk ishin të pranishëm në atë të së Hënës dhe Kanadasë. Ndërsa përfaqësuesit e BE-së ranë dakord për paketën e 16 të sanksioneve ndaj Rusisë ku përfshihet ndalimi i importit të aluminit.

Tv Klan