Sekretari i Shtetit Marco Rubio nisi turneun e tij të parë në Lindjen e Mesme në Izrael. Ai u prit nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, në zyrën e tij në Jerusalem.
Duke folur pas një takimi me Rubion në Jerusalem, Netanyahu tha se Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara janë të dy të vendosur për të penguar ambiciet bërthamore të Iranit dhe “agresionin” e tij në Lindjen e Mesme
“Patëm një diskutim shumë produktiv për një sërë çështjesh, asnjëra prej tyre nuk është më e rëndësishme se Irani. Izraeli dhe Amerika qëndrojnë krah për krah në përballjen e kërcënimit të Iranit. Ne jemi dakord që ajatollahët nuk duhet të kenë armë bërthamore dhe ne gjithashtu pajtohemi që agresioni i Iranit në rajon duhet të tërhiqet.”
Rubio u shpreh se pas çdo grupi terrorist, pas çdo akti dhune, pas çdo aktiviteti destabilizues, pas çdo gjëje që kërcënon paqen dhe stabilitetin për miliona njerëz që e quajnë këtë rajon shtëpi, është Irani.
Kryeministri izraelit nga ana tjetër vlerësoi “vizionin e guximshëm” të presidentit amerikan Donald Trump për të ardhmen e Gazës, ndërsa sekretari i shtetit tha se plani mund të ketë “tronditur dhe befasuar” njerëzit, por se Trumpit iu desh “guxim” për të propozuar një alternative të tillë.
“Presidenti amerikan ka qenë gjithashtu shumë i guximshëm në lidhje me pikëpamjen e tij se cila duhet të jetë e ardhmja e Gazës. Jo me të njëjtat ide të lodhura të së kaluarës, por diçka që është e guximshme dhe diçka që sinqerisht mori guxim dhe vizion për ta përshkruar. Izraeli që ka kërkuar gjithmonë paqe, por nuk do ta lejojë veten të frikësohet ose të shkatërrohet nga armiqtë e tij dhe në atë front, ju gjithmonë mund të mbështeteni tek ne, për sa kohë që unë jam në këtë pozicion dhe Presidenti Trump është në Shtëpinë e Bardhë.”
Si Netanyahu edhe SHBA mbajtën sërish një qëndrim të përbashkët për Gazën ndërsa paralajmëruan se lufta mund të rifillojë nëse të gjithë pengjet izraelitë nuk lirohen.
Vizita e Rubios vjen pasi një ngarkesë me bomba të rënda të prodhuara nga Amerika mbërriti në Izrael gjatë natës. Është fjala për ngarkesën e parë me bomba të llojit MK-84 me peshë mbi 900 kilogram secila dhe që çan betonin dhe metalet në trashësi të mëdha.
Administrata Biden kishte ndërprerë furnizimin me të tilla bomba të fuqishme Izraelit, për shkak të shqetësimeve se ato mund të përdoreshin në zona me popullsi të dendur dhe mund të shkaktonin viktima të shumta. Rifurnizimi i ushtrisë izraelite me të tilla bomba tregon edhe një herë ndryshimin e qasjes së Uashingtonit drejt një politike miqësore ndaj Izraelit përballë luftës me Hamasin.
Klan News