Presidenti Donald Trump tha të hënën se ende nuk është i kënaqur me atë që ka dëgjuar nga Arabia Saudite për vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi, por nuk dëshiron që SHBA të humbasin investimet në Riad.

Khashoggi, gazetar që shkruante për “Washington Post-in” dhe kritik i Princit të Kurorës Mohammed bin Salman, sundimtari de facto i mbretërisë, u zhduk tre javë më parë pasi hyri në konsullatën saudite në Stamboll për të marrë dokumente për martesën e tij të ardhshme.

Riadi fillimisht mohoi se dinte gjë për fatin e tij, por pastaj pohoi se gazetari ishte vrarë gjatë një përleshjeje brenda në konsullatë, një reagim ky i përshëndetur me tone skeptike nga disa qeveri perëndimore, duke i tensionuar marrëdhëniet me eksportuesin më të madh të naftës në botë.

“Nuk jam i kënaqur me atë që kam dëgjuar,” u tha Presidenti Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë. “Nuk dua të humbas gjithë këtë investim që është bërë në vendin tonë. Por ne do t’i shkojmë kësaj deri në fund.”

Presidenti tha se kishte folur me princin e kurorës. Ai tha gjithashtu se në Arabinë Saudite ka amerikanë që po punojnë për çështjen dhe po ashtu edhe në Turqi. Ata do të kthehen në SHBA të hënën mbrëma ose të martën, tha ai.

PAQARTËSI DHE DEBATE PËR ÇËSHTJEN KHASHOGGI

Princi i Kurorës i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman foli të hënën në telefon me të birin e gazetarit, Jamal Khashoggi për t’i shprehur ngushëllimet për vrasjen e të atit. Ndërkohë prokurorët morën në pyetje pesë punonjës të tjerë turq të konsullatës saudite, si pjesë e hetimit për vrasjen e gazetarit.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka premtuar të bëjë publike detajet për këtë rast në një fjalim të martën në parlament.

“Ja të rejat për rastin e Jamal Khashoggit: Ne thamë që ‘jemi të vendosur”, se ‘do të hedhim dritë mbi këtë ngjarje’. Këtë të premte do të bëj një deklaratë në mbledhjen e grupit. Ne duam që të vendoset drejtësia, kështu që do të zbulojmë të vërtetën ashtu siç është. Jo thjesht një process të zakonshëm, por të vërtetën”, tha ai.

Zoti Erdogan foli në telefon me presidentin amerikan, Donald Trump. Agjencia shtetërore turke e lajmeve tha se të dy udhëheqësit janë në një mendje se rasti i Khashoggit, duhet të “sqarohet në të gjitha aspektet”.

Ndërkohë një zëdhënës i partisë AK në pushtet në Turqi, Omer Celik u tha gazetarëve në Ankara se vrasja e gazetarit Khashoggi, është e komplikuar.

“Jemi përballë një ngjarjeje që ishte planifikuar në mënyrë monstruoze dhe që u pasua nga një përpjekje e gjerë për ta fshehur. Po ta shohësh nga ky këndvështrim, është një vrasje shumë e komplikuar”, tha ai.

Zoti Celik tha gjithashtu se pretendimet për negociata mes Turqisë dhe Arabisë Saudite, si pjesë e hetimit për vrasjen e Khashoggit, ishin joetike, duke shtuar se ishte përgjegjësia e Turqisë për zbuluar të vërtetën për vrasjen.

Në një intervistë në televizionin amerikan Fox të dielën, Ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite,Abdel al-Jubeir e quajti vrasjen e Khashoggit një gabim të rëndë dhe premtoi se personat përgjegjës do të përgjigjen, “Individët që e bënë këtë, vepruan jashtë kompetencave të tyre”, tha Ministri Al-Jubeir.

Jamal Khashoggi vdiq pasi hyri në konsullatën saudite në Stamboll të Turqisë më 2 tetor.

Arabia Saudite pretendon se 59 vjeçari Khashoggi u vra pas një zënke që u kthye në goditje me grushta, një shpjegim që u prit gjerësisht me mosbesim në shkallë ndërkombëtare, përfshirë nga zoti Trump. Në fillim ai la të kuptohej se kishte prirjen t’i besonte sauditët, por së fundmi presidenti tha se “është e qartë që ka pasur mashtrime dhe gënjeshtra”.

Të hënën, Bashkimi Evropian tha se vrasësit e Khashoggit duhet të vihen para drejtësisë.Duke folur para gazetarëve, zëdhënësja Maja Kocijancic tha se hetimi duhet të vazhdojë, për të pasur informacion të plotë për personat që kanë patur rol në vrasje.

/VOA