Pas vendimit për të mos lejuar më studentë ndërkombëtarë në universitetin e “Harvard”, ka gjasa që kjo të pasojë në një ndërprerje të studimeve për Mbretëreshën e ardhshme të Belgjikës, Princeshën Elisabeth.

23-vjeçarja sapo ka përfunduar vitin e parë të studimeve të ciklit “Master” në këtë universitet, për Politika Publike. Vendimi i Trump për transferimin e studentëve nga Harvard në universite të tjera, pasi përndryshe do të humbasin statusin e tyre ligjor, patjetër që ndikon gjithashtu dhe tek Princesha Elisabeth, për shkak të origjinës së saj nga Belgjika.

E paqartë mbetet situata dhe për Pallatin Mbretëror belg.

“Princesha Elisabeth sapo ka përfunduar vitin e saj të parë. Ndikimi i vendimit të administratës Trump do të bëhet më i qartë në vijim. Aktualisht po shqyrtojmë situatën”, është shprehur zëdhënësja e Pallatit Mbretëror, Lore Vandoore, siç raporton Reuters.

Të njëjtin qëndrim mban dhe drejtori i komunikimit të Pallatit Mbretëror, Xavier Baert, i cili shprehet se “Po e analizojmë këtë, për momentin do i lëmë gjërat të rregullohen. Shumë gjëra mund të ndodhin në vijim”.

Mbetet për t’u parë se si do të jetë e ardhmja akademike e Princeshës Elisabeth. Ajo ka përfunduar në universitetin e Oksfordit studimet e ciklit “Bachelor” për Histori dhe Politikë. Pas kësaj, vendosi të ndjekë studimet “Master” në “Harvard” për Politikë Publike, një degë kjo mjaft e përshtatshme duke ditur se ajo do të jetë kryesuesja e ardhshme mbretërore e Belgjikës.

Kujtojmë se “Harvard” nuk e pranon këtë politikë të Trump, duke e cilësuar të paligjshme dhe duke këmbëngulur se do të presë me përkushtim studentë të huaj.

/tvklan.al