Shkon në 5 numri i të vdekurve nga përplasja në Capitol Hill

Një oficer policie i Capitol Hill humbi jetën si pasojë e plagëve të marra në sulmin e ndodhur të mërkurën në Kongresin Amerikan nga protestuesit pro Trump. Vdekja e oficerit të policisë bëri që disa prej zyrtarëve më të lartë amerikanë të kërkonin heqjen e Trump nga posti i Presidentit si nxitës të revoltës.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, i bëri thirrje zv/Presidentit Mike Pence që të përdorte Amendamentin e 25 të Kushtetutës për ta shpallur presidentin të paaftë për të qëndruar në këtë post. Në të kundërt ajo tha se do të niste procesin për shkarkimin e presidentit.

Ndërkohë nën presion, Donald Trump më në fund e dënoi dhunën, që e cilësoi “sulm të neveritshëm”.

Dhuna e së mërkurës erdhi disa orë pasi Trump inkurajoi mbështetësit e tij për të luftuar kundër rezultatit të zgjedhjeve, ndërkohë që Kongresi po certifikonte fitoren e Presidentit të zgjedhur Joe Biden, në votimet e Nëntorit.

5 persona humbën jetën nga përplasja, përfshirë Brian Sicknick, i cili ishte pjesë e forcave policore të Capitol Hill. Sipas BBC, ai mbeti i plagosur ndërkohë që përballej me turmën e protestuesve që bastisën godinën.

Ndërkohë, Pelosi dhe kreu i demokratëve në Senat, Chuck Schumer, i bënë thirrje Pence për largimin e presidentit. “Veprimet e rrezikshme dhe nxitëse të presidentit kërkojnë largimin e tij të menjëhershëm nga detyra“, thanë ata në një qëndrim të përbashkët.

Ata kërkuan futjen në lojë të Amendamentit 25 që e lejon zv/presidentin të veprojë nëse presidenti nuk është i aftë për të përmbushur detyrat e tij për shkaqe shëndetësore, fizike apo mendore. Por që kjo të ndodhë do të duhet që të bëhen bashkë Pence dhe të paktën 8 anëtarë të kabinetit, gjë që deri më tani duket se ka pak të ngjarë të ndodhë.

Donald Trump pritet që të largohet nga detyra më 20 Janar, të njëjtën ditë kur presidenti i ri Joe Biden do të betohet si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. E nëse Pence nuk vepron, Pelosi le të nënkuptohet se do t’i drejtohet Dhomës së Përfaqësuesve për të nisur procesin e dytë të shkarkimit për Trump.

Nancy Pelosi

Megjithatë, për të qenë të suksesshëm, demokratëve do t’u duhet një shumicë prej 2/3 në Senat dhe të dhënat nuk duken në favor të tyre. Nga ana tjetër mbetet e paqartë nëse ka kohë të mjaftueshme për të ndërmarrë një proces të tillë.

Duke cituar një burim, New York Times raportoi se Trump u ka sugjeruar ndihmësve të tij se po konsideron mundësinë që t’i jepë vetes faljen e Presidentit, para përfundimit të mandatit. Sa e ligjshme është një lëvizje e tillë kjo është e patestuar./tvklan.al