Marrëdhënia që Presidenti amerikan ka me gazetarët nuk shumë e mirë, por jo deri aty sa t’i gëzohet daljes së një grupi gazetarësh pa punë.

Revista ‘The Atlantic’, nisur nga pandemia e Covid-19, është detyruar që të shkurtojë 20% të stafit për shkak të krizës në mënyrë që të shpëtojë edhe nga falimentimi. Kjo e ka ngazëllyer presidentin.

“Lajme të shkëlqyera: Revista e mërzitshme dhe shumë e keqe, The Atlantic, po dështon me shpejtësi dhe sapo është detyruar të njoftojë se po pushon të paktën 20% të stafit të saj në mënyrë që të mbijetojë në të ardhmen. Kjo është një kohë e vështirë për të qenë në biznesin e Fake News”, ka shkruar Presidenti Trump në Twitter.

Ky reagim i Presidentit amerikan është kritikuar nga shumë gazeta por edhe nga vetë gazetarët e kësaj reviste, teksa ai është kënaqur për shkallën e lartë të papunësisë që ka tanimë SHBA-ja si pasojë e Covid-19.

Ata i kanë kërkuar Trump që të hartojë paketa ndihme ekonomike që t’ju vijë në ndihmë kompanive mediatike që po përballen me krizën, dhe ku një pjesë e madhe e gazetarëve janë pushuar nga puna.

‘The Atlantic’ është krijuar në 1857 në Boston dhe ishte një ndër revistat më prestigjioze amerikane që publikonte lajme në gjuhën angleze. Në vitin 2016, ‘The Atlantic’ u shpall si revista e vitit.

Kjo nuk është hera e parë që Trump sulmon mediat. Në Korrik të 2018 kreu i SHBA sulmoi një gazetar të CNN teksa ai e pyeti në lidhje me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale. Trump e quajti atë një turp për vetë median CNN.

Një rast tjetër po në vitin 2018, presidenti amerikan sulmoi gazetarin Carl Bernstein pasi ky i fundit publikoi një shkrim në CNN, ku thuhej se ish-avokati Michael Cohen pranoi se Trump ishte në dijeni për takimin me rusët në Kullën Trump.

Klan Plus