Teksa një ditë më parë, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, përdori “armën e tij më të mirë”, atë të tarifave ndaj Bashkimit Evropian, kjo e fundit ka “ngritur zërin e saj”.

Maros Sefcovic, Komisioner i Tregtisë së BE-së, përmes një postimi në platformën “X”, siguron se unioni evropian është i gatshëm të mbrojë interesat e tij. Një mesazh pati dhe për Trump-in, duke u shprehur se tregtia SHBA-BE, është i bazuar tek respekti reciprok, e jo tek kërcënimet.

“Fola me @jamiesongreer & @howardlutnick. BE-ja është tërësisht e angazhuar, e vendosur për të siguruar një tregti që funksionon për të dy palët. @EU_Commission qëndron e gatshme për të punuar në mirëbesim. Tregtia BE-SHBA është e pakrahueshme dhe duhet të udhëhiqet nga respekti i përbashkët, jo në kërcënime. Ne jemi të gatshëm për të mbrojtur interesat tona”, shkruan Sefcovic në “X”.

Kujtojmë se Trump, një ditë më parë bëri të ditur se synon që të aplikohet një tarifë prej 50% për të gjitha mallrat që importohen nga Bashkimi Europian drejt Shteteve të Bashkuara, por gjithashtu dhe për produktet e Apple, kryesisht iPhone, që të tarifohet importi i tyre me 25%.

Përmes një postimi në platformën e tij Truth Social, Trump shkruan se qëllimi i Bashkimit Europian është përfitimi nga Shtetet e Bashkuara lidhur me tregtinë, e se është bërë sipas tij e vështirë përballimi i saj. Për këtë arsye, Trump sugjeron që këto tarifa të aplikohen që me datë 1 qershor 2025.

Lidhur me tarifimin e celularëve të Apple, Trump shkruan në Truth Social se është në pritje që produktet e kësaj kompanie të prodhohen në Shtetet e Bashkuara dhe jo në vende të tjera, e për këtë arsye, po konsideron të aplikojë tarifën prej 25%.

Lajmi i mirë për çdo shqiptar i cili eksporton mallra drejt Shteteve të Bashkuara? Fakti që ne nuk jemi pjesë e Bashkimit Europian, na ndihmon për të pasur tarifa sa më të ulëta. Për vendin tonë aplikohet ende tarifa bazë prej 10%.

Shqipëria eksporton sasi të mëdha mallrash dhe të mirash materiale drejt SHBA-ve. Grupi i dytë më i eksportuar është ai i ushqimit dhe duhanit.

Vetëm gjatë vitit 2024, u regjistruan 7 miliardë Lekë eksporte drejt SHBA-ve nga Shqipëria.

/tvklan.al