Presidenti amerikan Donald Trump po vijon luftën tregtare me BE-në. Ai ka kërcënuar një tarifë 200% për verën dhe shampanjën dhe pije te tjera alkoolike që vijnë nga vendet e bllokut në SHBA.
Trump tha në një postim në rrjetin e tij social “Truth Social” se tarifat për të gjitha produktet alkoolike nga BE janë një kundërpërgjigje për një taksë prej 50% për uiskin të vendosur më herët nga Unioni.
Tarifat kundër uiskit që do të hyjnë në fuqi nga Prilli ishin pjesë e tarifave të vendosura nga BE për mallrat amerikane.
Trump pretendon se partnerët tregtarë të SHBA-së kanë përfituar nga Uashingtoni dhe se tarifat do ta ndihmojnë atë të rikthejë vendet e punës, por kjo është hedhur poshtë nga shumica e ekspertëve të ekonomisë.
Tarifat ndaj BE-së, Kanadasë, Meksikës dhe Kinës rrezikojnë ta çojnë ekonominë amerikane në recesion dhe Trump ka pranuar se mund të ketë një “periudhë tranzicioni” ndërkohë që bizneset fillojnë të prodhojnë më shumë në SHBA.
Klan News