“Paketa aktuale shpërdoron paratë, nuk ndihmon familjet”

Presidenti amerikan në detyrë Donald Trump kërkon rishikimin e paketës së ndihmës për dëmet nga pandemia, për qytetarët dhe bizneset. Përmes një videomesazhi në Twitter, Trump e konsideroi paketën prej 900 miliardë dollarëshe të miratuar në Kongres, si “shpërdorim parash”.

“Kjo paketë parashikon 85.5 milionë dollarë ndihmë për Kamboxhian, 134 milionë për Burmën, 1.3 miliardë për Egjiptin dhe ushtrinë e këtij vendi që ble armë nga Rusia. Ndërsa taksapaguesve amerikanë që punojnë fortë u jep vetëm 600 dollarë ndihmë, si dhe para të pamjaftueshme për biznesin e vogël e sidomos pronarëve të restoranteve që e kanë vuajtur më shumë këtë krizë”.

Trump kërkon trefishimin e shumës, ku ndër të tjera të përfshihet shtimi i ndihmës financiare deri në 4 mijë dollarë për çift. Shefi aktual i Shtëpisë së Bardhë nuk përcaktoi megjithatë nëse do të përdorte Veton kundër kësaj pakete.

Përdorimi i Vetos nga presidenti do të çonte në mbyllje të pjesshme të administratës që do të linte pa paga dhjetëra mijëra punonjës, në kulmin e krizës së koronavirusit. Megjithatë edhe nëse kjo ndodh kriza mund të zgjidhet brenda Janarit pas marrjes së presidencës nga i zgjedhuri Joe Biden.

Tv Klan