Në Uashington po bëhen përgatitjet e fundit për paradën ushtarake që kremton 243-vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.

Për detajet është kujdesur vetë Presidenti Trump që ka ftuar njerëzit t’i bashkohen këtij aktiviteti që nuk zhvillohej prej 28 vitesh.

“Do të kemi një 4 Korrik madhështor në Uashington. Do të jetë e veçantë, si kurrë ndonjëherë. Shpresoj të vijnë shumë njerëz sepse organizohet për këtë vend, do të jetë si një dolli për Amerikën.”

Megjithatë, organizimi i paradës po përballet me kritika të forta. Disa qytetarë protestojnë kundër organizimit të saj. Demokratët e konsiderojnë paradën ushtarake si simbol të regjimeve diktatoriale.

 

Brian Schatz, Senator demokrat, Hawai: Fëmijë në kafaz. Tanke në rrugë. Miqësi me diktatorët. Luftë me demokracitë. Pjesëmarrje preferenciale për VIP-at donatorë të eventit të 4 Korrikut. Sulme ndaj medias. Për këtë nuk ka asgjë patriotike.

Kritika janë shprehur edhe për shpenzime të tepruara për organizimin e ceremonisë, 2.5 milionë dollarë, por me një numër të vogël ushtarësh. Shtëpia e Bardhë ka shitur 5 mijë bileta për të ftuarit e veçantë në paradën që zhvillohet pranë memorialit të Abraham Lincolnit.

Tv Klan