Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se mbështet kthimin e Rusisë në Grupin e Shtatë Vendeve më të Industrializuara (G7), pasi Shtetet e Bashkuara janë nikoqire të këtij takimi vitin e ardhshëm.

Ai i ka bërë këto deklarata para se të takohej me presidentin rumun, Klaus Iohannis në Uashington dhe katër ditë para se të arrijë në jug të Francës për të marrë pjesë në samitin e këtij viti të G7-ës.

“Unë me siguri” mbështes këtë gjë, u ka thënë ai gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

“Është shumë më e përshtatshme të kemi Rusinë aty. Duhet të kthehet në G8, sepse shumë gjëra që flasim kanë të bëjnë me Rusinë”.

Trump ka thënë se “nëse dikush do ta bënte atë propozim, unë me siguri se do të mendoja që ta mbështes”, sa i përket përfshirjes së Rusisë në grup.

Rusia ishte përjashtuar nga organizimi i vjetër i G8-ës më 2014, pas aneksimit të Gadishullit të Krimesë nga Ukraina. Përveç kësaj, agjencitë amerikanë të inteligjencës kanë thënë se Moska ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA.

Presidenti rus, Vladimir Putin po ashtu është akuzuar për vrasje të kundërshtarëve brenda dhe jashtë Rusisë, ndonëse ai mohon këto pretendime.

Grupi G7 ekziston nga viti 1975 dhe përbëhet nga Shtetet e Bashkuara, Britania, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia dhe Japonia.

Presidenti francez, Emmanuel Macron dëshiron që në këtë samit të diskutohet për pabarazinë në botë. Liderët botërorë pritet të fokusohen edhe në ndryshimet klimatike në kuadër të këtij organizimi./REL