Trump merr një letër të “ngrohtë” nga Kim Jong-un

Trump merr një letër të “ngrohtë” nga Kim Jong-un

23:32 11/09/2018

Kim Jong-un i ka shkruar një letër Presidentit të SHBA-së Donald Trump ku i kërkon një vazhdim të samitit të tyre historik, thotë Shtëpia e Bardhë.

SHBA thotë se tashmë po shqyrton caktimin e një takimi të ri.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Sanders tha se letra “shumë e ngrohtë” tregoi “përkushtimin e vazhdueshëm të Penianit për t'u përqëndruar në denuklarizim”.

Negociatat mbi këtë temë duket se kanë ngecur pas samitit historik të dy liderëve në Singapor në qershor.

“Qëllimi kryesor i letrës ishte të kërkohej një takim tjetër me presidentin, për të cilin jemi të hapur dhe tashmë jemi në procesin e koordinimit të tij”, tha Sanders.

Ajo nuk dha asnjë detaj se kur një takim i dytë mes dy udhëheqësve mund të ndodhë.

Presidenti i Koresë së Jugut Moon Jae-in mirepriti lajmin duke thënë se “denuklarizimi i plotë i gadishullit Korean është një çështje që duhet të zgjidhet në thelb midis SHBA-së dhe Koresë së Veriut nëpërmjet negociatave”.

Moon ka pasur një rol thelbësor në ndërmjetësimin e samitit të Singaporit në Qershor dhe gjithashtu ka planifikuar të takohet me Kim në Penian javën e ardhshme për një raund të tretë bisedimesh ballë për ballë. Laura Bicker, gazetare e BBC në Seul, thotë se Moon e sheh veten si ndërmjetës midis dy palëve dhe iu ka bërë thirrje të dyve për të bërë hapa të guximshëm.

Letra e Penianit vjen një ditë pasi Yukiya Amano, mbikqyrësi i OKB-së në fushën nukleare, paralajmëroi se aktivetetet e tanishme bërthamore të Koresë së Veriut shkelin rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Inspektorët ndërkombëtarë janë ndaluar nga Koreja e Veriut, por Amano tha se ata ishin të gatshëm të ktheheshin nëse mund të arrihej një marrëveshje politike.

Sanders vlerësoi gjithashtu paradën ushtarake të Koresë së Veriut fundjavën e kaluar, duke thënë se “për një herë të vetme nuk kishte lidhje me arsenalin e tyre bërthamor”. Ajo ia atribuoi atë "suksesit të jashtëzakonshëm" të politikave të Trump.

/tvklan.al 




Të ngjashme