Rrjedhja në publik e mesazheve sekrete të zyrtarëve të lartë të administratës amerikane për nisjen e bombardimeve në Jemen është komentuar nga Presidenti amerikan Donald Trump në një intervistë telefonike për NBC News.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë mbrojti këshilltarin e tij për sigurinë kombëtare, Mike Waltz, pasi kryeredaktori i The Atlantic u shtua gabimisht në një grup sekret me zyrtarë të lartë të administratës amerikane në aplikacionin Sinjal, ku diskutohej për planet e bombardimeve në Jemen që para nisjes së tyre më 15 Mars.
“Michael Waltz ka marrë një mësim dhe ai është një njeri i mirë”, u shpreh Trump.
Presidenti shprehu besimin e tij në ekipin e tij dhe u pajtua me deklaratat e Sekretarit të Mbrojtjes Pete Hegseth, i cili e përshkroi çështjen si të parëndësishme.
“Ishte i vetmi gabim në dy muaj dhe në fund nuk doli të ishte aq serioz”, tha Trump, duke u përpjekur të minimizonte incidentin.
Më herët Caroline Levitt, sekretare e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, foli përmes platformës X për rrjedhjen e një bisede private midis zyrtarëve të administratës Trump.
Në postimin e saj, ajo argumenton se faktet janë të ndryshme nga ato të publikuara në revistën The Atlantic, duke sqaruar se nuk janë diskutuar plane lufte dhe në bisedë nuk është dërguar asnjë informacion i klasifikuar.
Klan News