Gazeta “Washington Post” njoftoi dje se Prokurori i Posaçëm Robert Mueller u kishte thënë muajin e kaluar avokatëve të presidentit Donald Trump se presidenti ishte subjekt hetimesh, por jo i akuzave penale për momentin.

Sipas gazetës persona të rrethit të ngushtë të  Trump i interpretuan fjalët e Mueller si garanci se rreziku që ndaj presidentit të ngriheshin akuza kriminale ishte i ulët. Të tjerë paralajmëruan se Mueller mund ta intervistojë presidentin, çfarë mund ta vendoste atë në një rrezik më të madh ligjor.

“Washington Post” e ka mbështetur raportin e saj mbi informacionin e marrë nga persona në dijeni të negociatave private që zoti Mueller kishte patur me avokatët e Presidentit Trump në fillim të marsit lidhur me mundësinë e marrjes në pyetje të presidentit, si pjesë e hetimeve për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016 si dhe nëse njerëzit e fushatës së zotit Trump kishin bashkëpunuar në mënyrë të fshehtë me Rusinë.

Sipas komunitetit amerikan të zbulimit presidenti rus Vladimir Putin drejtoi një fushatë ndikimi në favor të zotit Trump, duke synuar të dëmtonte shanset për fitore të kandidates demokrate Hillary Clinton.

Trump e ka mohuar në mënyrë të përsëritur të ketë patur ndonjë bashkëpunim të fshehtë, duke i cilësuar hetimet e zotit Mueller “një gjueti shtrigash”.

Ndërkohë, hetimi i zotit Mueller ka rezultuar me dhënien e dënimit të parë. Dje një avokat holandez me bazë në Londër, u dënua me 30 ditë burg dhe një gjobë prej 20 mijë dollarësh për dëshmi të rreme./VOA