Të shtëna pranë Shtëpisë së Bardhe, policia qëllon një të dyshuar

Presidentit amerikan Donald Trump iu desh të ndërpriste konferencën për shtyp në Shtëpinë e Bardhë mbrëmjen e të hënës. Ekipet e sigurisë e evakuuan atë në një dhomë të sigurtë të rezidencës presidenciale për shkak të një incidenti me armë në ambientet e jashtme.

Agjentët sekretë qëlluan një 51-vjeçar, i cili kërcënoi me armë një nga pjesëtarët e stafit të sigurisë së Shtëpisë së Bardhë. Sipas njoftimit të policisë, personi iu afrua me shpejtësi njërit prej rojeve nisi të nxjerrë një objekt nga brezi, duke marrë më pas pozicionin e të qëlluarit me armë.

Efektivi e qëlloi duke i shkaktuar plagë 51-vjeçarit. Të dy u dërguan menjëherë në spital, teksa nuk jepen më tepër detaje mbi shkaqet e ngjarjes apo gjendjen shëndetësore të agresorit.

Policia rrethoi menjëherë zonën, teksa masat e sigurisë pranë Shtëpisë së Bardhë janë tepër të larta, pas protestave të dhunshme javët e fundit, pas vrasjes nga policia të afro-amerikanit George Floyd.

Tv Klan