Ashtu si në vizitën e tij të parë në Britaninë e Madhe ku u përfol për shkeljen e protokollit mbretëror, edhe ndalesën e dytë në ishull si President i SHBA, Donald Trump krijoi polemika që në ditën e parë. Këtë herë shkak u bë përplasje me kryebashkiakun e Londrës, Sadiq Khan, të cilin Trump e quajti një “humbës absolut”. Gjithçka nisi pas bojkotimit nga Khan të vizitës së Trump.

Por kundërpërgjigja e kryebashkiakut të Londrës nuk vonoi.

“President Trump, nëse po e shikon këtë video, vlerat e tua dhe ato që t’i mbron janë krejtësisht e kundërta me vlerat e Londrës dhe ato të këtij vendi. Ne mendojmë se diversiteti nuk është dobësi, por një forcë. Ne i respektojmë gratë dhe mendojmë se ato janë të barabarta me burrat”.

Pasi u nderuan me ceremoni shtetërore në Buckingham Palace nga Mbretëresha Elizabeta e II, Presidenti Trump dhe Zonja e Parë Melania, ndaluan të bënin homazhe në varrin e ushtarit të panjohur në kishën “Westminster Abbey”.

Axhenda parashikon që të martën Presidenti Trump të takohet edhe me Kryeministren në largim Theresa May, ku një ndër çështjet më të rëndësishme pritet të jetë Brexit.

Edhe Trump është kundër marrëveshjes që ajo arriti me Brukselin. Në intervistat për mediat britanike, ai mbështeti kandidaturën e Boris Johnson për kryeministër të ardhshëm, rivalin kryesor të Theresa May dhe kundërshtarit kryesor të marrëveshjes së arritur prej saj me Brukselin.

Tv Klan