Teksa kandidatët demokratë për zgjedhjet presidenciale në SHBA kanë nisur të zyrtarizohen, presidenti Donald Trump njeh edhe sfidantin e parë brenda republikanëve. Ish-guvernatori i Masaçusets, Bill Weld zyrtarizoi kandidaturën e tij për presidencialet e 2020-ës. Përmes një videoje promocionale 73-vjeçari shprehu dallimet mes tij dhe Donald Trump.

Bill Weld – kandidat për presidenti i SHBA-ve:

Mendoj se nëse do të kemi edhe 6 vjet të tjerë me të njëjtin staf në Shtëpinë e Bardhë, do të ishte një tragjedi politike. Dhe unë do të ndjehesha i turpëruar nga vetja që nuk ngrita dorën dhe të kandidoja.

Megjithatë vështirësitë për Weld nuk janë të pakta, brenda një partie Republikane gjithnjë e më pranë presidentit Trump. Mbështetjen për Shefin e Shtëpisë së Bardhë e tregojnë kryesisht shifrat financiare. Nga fillimi i vitit ekipi i fushatës së Trump ka mbledhur rreth 41 milionë Dollarë, një shifër e pakrahasueshme me kundërshtarët demokratë. Në kampin rival, kandidatët kryesorë Berni Sendërs dhe senatorja e Kalifornisë Kamala Harris kanë mbledhur së bashku rreth 40 milionë dollarë.

Tv Klan