Refuzohet kërkesa e guvernatorit Cuomo që ngriti alarmin

Presidentit amerikan Donald Trump nuk i duket e domosdoshme vendosja e karantinës në Nju Jork. Në njërin prej qyteteve më të mëdha të Shteteve të Bashkuara, koronavirusi po përhapet me ritme shumë herë më të shpejta se në çdo vend tjetër të botës. Aktualisht numërohen 52 mijë të infektuar, gjysmën e rasteve të konfirmuara në shkallë kombëtare.

Megjithatë, përmes një postimi në Twitter, shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se ishte konsultuar me guvernatorët dhe qeverinë federale, me të cilët ishte arritur në përfundimin se nevojitej kufizim maksimal i udhëtimeve brenda dhe jashtë Nju Jorkut, ashtu si në gjithë vendin.  

Vendimi për vendosjen në karantinë të Nju Jorkut u kërkua nga guvernatori Andrew Cuomo dhe fillimisht Trimp u duk sikur do ta pranonte. Mediat paralajmëruan se Nju Jorku mund përjetojë një situatë më të rëndë edhe se Wuhani dhe Lombardia.

Megjithatë shefi i Shtëpisë së Bardhë është kundër masave të ashpra që janë marrë në pjesën më të madhe të globit, pasi i druhet faktit që ato mund ta zhysin ekonominë amerikane në recesion. Qeveria amerikane po aplikon modelin e Koresë së Jugut duke bërë shumë analiza ditore për rastet e dyshuara.

Shtetet e Bashkuara kanë aktualisht numrin më të lartë të infektimeve në botë, afro 125 mijë, ndërsa numëron mbi 2 mijë të vdekur. Numrin më të lartë të viktimave e ka Europa, me mbi 20 mijë, ku problematike situata paraqitet në Itali dhe Spanjë, ku numërohen mbi 800 viktima në ditë. 

Mbi 31 mijë të vdekur dhe afro 495 mijë janë ende të infektuar në gjithë globin. Ndërsa afro 143 mijë të tjerë janë shëruar.

Tv Klan