Presidenti i SHBA Donald Trump ka mbajtur tubimin e tij të parë në Georgia, pas humbjes në zgjedhjet presidenciale të 3 Nëntorit. Përpara mbështetësve të tij, Trump i kërkoi guvernatorit Brian Kemp të mbajë një seancë të posaçme të legjislaturës së shtetit në mënyrë që ligjvënësit të përmbysnin rezultatet e votimit në Georgia.

Edhe pse kërkoi një tranzicion të pushtetit, kreu i Shtëpisë së Bardhë e ka shumë të vështirë që të pranojë humbjen. Trump kërkoi verifikimin sërish të votave edhe pse procesi i rinumërimit tanimë ka përfunduar dhe rezultatet nxorën sërish Joe Biden fitues.

Trump ka pretenduar gjithnjë se votimi me anë të postës ka sjellë edhe manipulimin e zgjedhjeve presidenciale, por edhe për këtë nuk ka prova që e vërtetojnë. Sipas Kushtetutës amerikane, Biden do të marrë detyrën në 20 Janar. Në një fjalim të gjatë gati dy orë, Presidenti Trump i tha turmës se ai ende mund t’i fitojë zgjedhjet. 

Mbështetësit e presidentit mbanin në duar pankarata dhe brohorisnin “Bëni Amerikën përsëri të Madhe” , “Stop vjedhjes” dhe “Katër vjet më shumë”.

Pas përfundimit të tubimit i cili u bë kundër rregullave anti-covid, nëpërmjet një postimi në Twitter, Trump u shpreh se ligjvënësit duhet të japin prova të forta që këto zgjedhje nuk u humbën.

Georgia ishte një shtet kryesor në zgjedhjet e 3 Nëntorit  dhe fitorja e ngushtë e Joe Biden, bëri që në këtë shtet të fitojë për herë të parë një demokrat që nga viti 1992.

Tani fokusi i kësaj beteje të fortë politike është për kontrollin e Senatit. Nëse demokratët fitojnë zgjedhjet, republikanët do të humbnin kontrollin e dhomës së sipërme. Biden fitoi zgjedhjet presidenciale me 306 vota në kolegjin elektoral. Kolegji do të mblidhet në 14 Dhjetor për të zyrtarizuar rezultatin.

Klan Plus