Trump: Nuk kemi prova për helmimin e Navalny


Trump: Nuk kemi prova për helmimin e Navalny

10:18 05/09/2020

Presidenti amerikan Donald Trump ka bërë një deklaratë të papritur lidhur me helmimin e liderit të opozitës ruse, Alexei Navalny.

Në një konferencë shtypi me gazetarët, Trump u shpreh se ajo që ndodhi është e rëndë, por SHBA nuk ka asnjë provë për këtë incident.

“Ne duhet ta marrim shumë seriozisht. Nuk e di saktësisht se çfarë ka ndodhur, por mendoj se është tragjike. Është e tmerrshme, nuk duhet të ndodhte. Ne nuk kemi ende ndonjë provë, por do ta shqyrtoj”, tha Trump kur u pyet nga gazetarët në Shtëpinë e Bardhë se cili është qëndrimi i Amerikës për këtë ngjarje.

Ndërkohë, Gjermania dhe Britania e Madhe kanë paralajmëruar sanksione ndaj Rusisë dhe i kanë bërë thirrje që të hetojnë me seriozitet helmimin e kritikut të Putinit. Kancelarja gjermane Angela Merkel deklaroi se analizat laboratorike konfirmuan që Navalny është helmuar me agjentin nervor Novichok. Edhe laboratori i NATO-s e konfirmoi këtë gjë.

Ndërsa Rusia ka mohuar vazhdimisht këto pretendime, duke thënë se nëse Navalny do të ishte helmuar me Novichok, nuk do të kishte mundësi të mbijetonte. /tvklan.al



Të ngjashme