Presidenti Donald Trump ka pushuar të martën nga puna një zyrtar të Departamentit të Sigurisë së Atdheut, i cili më herët ka mohuar pretendimet e kreut të shtetit për mashtrim të gjerë të votuesve.

Trump njoftoi largimin e Chris Krebs, drejtorit të Agjencisë për Sigurinë Kibernetike dhe të Infrastrukturës, nëpërmjet Twitter-it dhe e lidhi me deklaratën e tij se, “nuk ka asnjë provë që ndonjë sistem votimi të ketë fshirë apo të ketë humbur vota, të ketë ndryshuar ose të kishte ndonjë mënyrë që të ishte kompromentuar”.

“Deklarata e fundit nga Chris Krebs për sigurinë e Zgjedhjeve 2020 ishte shumë gabim, pasi ka pasur pasaktësi të mëdha dhe mashtrim”, tha Trump.

Kjo lëvizje  e Trump ishte parashikuar nga gjigandi mediatik CNN. Sipas burimeve të medias amerikane, Krebs e dinte që mund të hynte në telashe nëse tregonte të vërtetën, por filloi ta kuptonte që Presidenti po mendonte largimin e tij në momentin që mediat pro Trump filluan ta sulmonin.

Ai e mori lajmin e shkarkimit nga puna nëpërmjet postimit dhe u përgjigj shkurt duke thënë: I nderuar që shërbeva. Ne vepruam saktë. Mbroni sot. Siguroni të nesërmen. Postimin e tij, Krebs e shoqëronte me hashtagun “Mbroni 2020-n”.

Pas largimit të Krebs dha dorëheqjen edhe numri 2 i kësaj agjencie, Matt Travis. Trump ka vendosur që në krye të agjencisë të vendosë Brandon Wales. Ky i fundit vlerësohet shumë nga kolegët e tij.

“Heja e Krebs nënvizon faktin se Trump është i gatshëm që të bëjë çdo gjë për të ndëshkuar ata që nuk përshtaten me pikëpamjen e tij konspirative për zgjedhjet”, shkruan ndër të tjera CNN. /tvklan.al