Ish-presidenti amerikan Donald Trump ashpërsoi edhe më shumë retorikën kundër emigrantëve që kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme dhe kanë kryer krime. Nga Wisconsin, Trump e quajti zëvendëspresidenten demokrate Kamala Harris, “të paaftë mendërisht”. Fjalimi i tij iu kushtua pothuajse tërësisht emigrantëve pa dokumente. Ai i quajti ata që kishin kryer krime të dhunshme “përbindësh”, “vrasës të ftohtë” dhe “kafshë të neveritshme”.

“Unë do të çliroj Wisconsin nga pushtimi masiv i emigrantëve. Nuk ka akt më të madh tradhtie sesa të shuani sovranitetin e kombit tuaj pikërisht përmes kalimit të disa emigrantëve në kufirit tuaj. Kamala Harris kurrë nuk duhet të lejohet të bëhet presidente e Shteteve të Bashkuara, ajo është një fatkeqësi dhe ajo nuk do të bëjë kurrë asgjë për kufirin.”

Në një moment Trump pranoi se ky është një ndër fjalimet më të errëta që ka mbajtur gjatë fushatës.  Fjalimi i Trump u mbajt në qytetin e vogël të Wisconsin, Prairie du Chien, ku një venezuelian në SHBA u arrestua ilegalisht në shtator për përdhunimin ndaj një gruaje. Ish-presidenti fajësoi Harris dhe Joe Biden për lejimin e emigrantëve pa dokumente në SHBA, duke akuzuar disa emigrantë se duan të përdhunojnë, plaçkisin, vjedhin dhe vrasin njerëzit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Rreth 7 milionë emigrantë janë arrestuar duke kaluar ilegalisht kufirin SHBA-Meksikë gjatë administratës së Bidenit, sipas të dhënave të qeverisë, një numër rekord i lartë që ka nxitur kritikat ndaj Harris dhe Biden.

Ndërkaq pas fjalimit në Wisconsin, Trump u prit me brohoritje nga një turmë e madhe njerëzish në një stadium, teksa ai mbërriti për ndeshjen e futbollit Alabama kundër Georgia. Kandidati republikan u pa duke hedhur kuti me kokoshka në drejtim të mbështetësve të cilët brohorisnin “SHBA!”

Klan News