Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, nuk do të tërhiqet nga propozimi i tij për ndërtimim e murit në kufi me Meksikën, edhe pse një gjë e tillë çoi në mbyllje të pjesshme të qeverisë amerikane.

Trump refuzon të nënshkruajë buxhetin që nuk përfshin fonde për murin, ndërsa demokratët janë kundër. Dhoma e Përfaqësuesve, e cila kontrollohet nga demokratët, ka miratuar një ligj për rihapjen e qeverisë, por Senati, me shumicë republikane, e ka refuzuar atë.

Rreth 800,000 punonjës federalë kanë mbetur pa paga që më 22 Dhjetor. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, dhe udhëheqës të tjerë të Kongresit nga të dyja partitë i vazhduan negociatat me Trumpin të premten.

Udhëheqësi i republikanëve në Senat, Mitch McConnell, ka thënë se ata nuk do të mbështesin masa që nuk i mbështet Presidenti Trump.

Gazeta Washington Post raportoi të premten se, pavarësisht mbylljes së pjesshme të qeverisë, sekretarët e kabinetit të Presidentit, kryeadministratorët dhe zv/Presidenti Mike Pence pritet të kenë rritje vjetore të pagës për 10,000 Dollarë.

/REL