Presidenti Donald Trump dhe ekipi i tij i sigurisë kombëtare kanë theksuar gatishmërinë për të përdorur forcën ushtarake kundër kundërshtarëve si Koreja e Veriut, Venezuela dhe Irani. Por kritikët thonë se politika e ndërhyrjes ushtarake minohet nga hezitimi i presidentit për t’u përfshirë në konflikte të huaja. Raportin e përgatiti korrespondenti i Zërit të Amerikës Brian Padden:

Në fillim të presidencës së tij, Donald Trump autorizoi sulmet me bombë kundër Sirisë dhe Afganistanit, duke i bërë të besueshme pretendimet e administratës së tij për gatishmëri për përdorimin e forcën ushtarake kur është e nevojshme.

Megjithatë, thuhet gjithashtu se Presidenti Trump ka shprehur shqetësim lidhur me idetë për luftë të Këshilltarit të tij të Sigurisë Kombëtare Xhon Bolton dhe e ka bërë përparësi mosangazhimin ushtarak të Shteteve të Bashkuara.

“Nuk është diçka e keqe që një president të jetë paqeruajtës, megjithëse zoti Trump nuk mund të mendohet si një njeri i butë. Por është e vërtetë se ai dëshiron të shmangë luftëra të reja dhe kjo është ndoshta një gjë shumë e mirë “- thotë analisti Michael O’Hanlon i Institutit Brooklin.

Kërcënimet e zotit Trump për t’iu përgjigjur me “zjarr dhe ashpërsi” provave bërthamore dhe me raketa të Koresë së Veriut, sipas shumë analistëve, ndihmuan që Kim Jong Un të përfshihej në bisedimet e çnuklearizimit.

Megjithatë, negociatat tani duken të bllokuara dhe po shtohen tensionet lidhur me provat e kohëve të fundit me raketa të Koresë së Veriut dhe sekuestrimin nga SHBA të një anieje mallrash të Koresë së Veriut që përbënte shkelje të sanksioneve të OKB-së.

Shtëpia e Bardhë ka theksuar gjithashtu se po shqyrtohen opsionet ushtarake për ta detyruar Iranin t’i japë fund ambicieve bërthamore, dhe për të ushtruar presion ndaj ushtrisë venezueliane për ta larguar nga pushteti udhëheqësin autoritar Nicolas Maduro.

Për të frenuar Iranin, SHBA kanë dërguar forca detare në Detin Mesdhe. Trump ka treguar një gatishmëri për të përdorur forcën, edhe pse ai i mohoi njoftimet se Pentagoni po përgatitet të dërgojë 120,000 trupa në Lindjen e Mesme.

“A do ta bëja një veprim të tillë? Patjetër, por nuk po bëjmë plane për këtë. Shpresojmë se nuk do të na duhet ta merrnim këtë veprim, por nëse do ta bënim, do të dërgonim shumë më tepër trupa”, – tha Presidenti.

Megjithë hezitimin e tij për t’u angazhuar në një konflikt në shkallë të gjerë, deklaratat e ashpëra të zotit Trump merren seriozisht nga kundërshtarët jashtë e vendit.

“Unë mendoj se njerëzit që shohin personalitetin e tij, kërcënimet e tij, nuk dyshojnë se ai mund të jetë i prirur për të goditur përsëri”, – thotë analisti O’Hanlon.

Kërcënimet për veprime ushtarake janë po ashtu një lojë e rrezikshme, ku keqkuptimet dhe llogaritë e gabuara mund të përshkallëzohen lehtësisht në një konflikt vdekjeprurës.

“Qeveria amerikane dhe Shtetet e Bashkuara ndodhen në një pozicion të vështirë në shumë drejtime, ose duhet të provojnë që e kanë seriozisht, ose përndryshe do të krijonin përshtypjen që po tërqihen.”- thotë analistja Cynthia Arnson, e Qendrës “Woodrow Wilson”.

Ndërsa kritikët thonë se strategjia e presionit maksimal e zotit Trump vetëm se ka rritur mundësitë për konflikt, përkrahësit e miratojnë qasjen e tij të ashpër, duke bërë presion me mundësinë e luftës./VOA