Ish-Presidenti amerikan ka deklaruar se është censuruar në mënyrë të padrejtë prej tyre

Telenovela Trump – rrjete sociale tanimë po bëhet si diçka rutinë dhe me shumë gjasa do të zgjasë për një periudhë të gjatë kohore .

Këtë herë ish-Presidenti amerikan ka ngritur padi kundër tre prej kompanive më të mëdha të teknologjisë në vend, duke pretenduar se është censuruar padrejtësisht prej tyre. Trumpi njoftoi padinë kundër Facebook-ut, Twitter-it dhe YouTube-it të kompanisë Google si dhe ndaj drejtuesve ekzekutivë të kompanive.

Ne po kërkojmë t’i jepet fund ndalimeve të dyshimta, frenimit të shprehjes dhe listës së zezë që ju i njihni mirë“, tha ai. Prej kohësh mediat sociale i kanë hapur luftë Trump për shkak të postimeve të rreme dhe që promovonin dhunën. Postimet e herpashershme të Trump në lidhje me situatën e pandemisë dhe jo vetëm  shumë herë janë bllokuar edhe nga rrjetet të tjera sociale.

Trump-i u pezullua nga Twitter-i, Facebook-u dhe YouTube-i pasi ndjekësit e tij sulmuan ndërtesën e Kapitolit më 6 Janar. Kompanitë ngritën shqetësimin se ai mund të nxiste dhunë të mëtejshme.

Sidoqoftë, Trump ka vijuar të deklarojë se zgjedhjet e vitit 2020 i fitoi ai edhe pse zyrtarët kanë thënë se nuk ka prova të manipulimit masiv të votave, siç pretendon ish-Presidenti.

Në padinë kundër Facebook-ut dhe drejtorit ekzekutiv Mark Zuckerberg thuhet se kompania veproi në mënyrë antikushtetuese kur përjashtoi ish-Presidentin Trump nga platforma. Të ngjashme janë edhe paditë kundër Twitter-it dhe YouTube-it. Të tria paditë i kërkojnë gjykatës dëmëshpërblim por pa specifikuar shumë.

Klan News