Skandali seksual ku është i përfshirë presidenti amerikan Donald Trump, krahas pasojave ligjore u vlerësua edhe në aspektin etik.

Komisioni qeveritar i Etikës në SHBA tha se presidenti Trump duhet ta kishte bërë publike në deklaratat e tij të mëparshme financiare, pagesën ndaj aktores së filmave për të rritur Stormy Daniels.

Reagimi i Komisionit të Etikës vjen fill pas pranimit zyrtarisht nga presidenti Trump se ka rimbursuar avokatin e tij, për pagesën ndaj Stormy Daniels. Bëhet fjalë për një pagesë nga 100 mijë deri në 250 mijë dollarë.

Donald Trump akuzohet nga aktorja e filmave për të rritur, Stormy Daniels, se kanë pasur marrëdhënie seksuale në vitin 2006. Avokati i Trump, Michael Cohen, pagoi për heshtjen e aktores në vitin 2016.

Telashet ligjore për presidentin amerikan lidhen pikërisht me këtë pagesë dhe rimbursimin e Trump, pasi dyshohet se janë përdorur paratë e fushatës, duke shkelur ligjin elektoral. Ndonëse pranoi pagesën, presidenti amerikan e ka mohuar vazhdimisht historinë e pasionit me aktoren.

Tv Klan