Vrasja e 9 qytetarëve amerikanë në Meksikë nga kartelet e drogës, është bërë tashmë një çështje ndërkombëtare që ka shkaktuar reagimin e menjëhershëm të Presidentit të SHBA Donald Trump. Kreu i Shtëpisë së Bardhë u zotua që do të ndihmojë Meksikën për të shfarosur kartelet e drogës.

Është koha që Meksika, me ndihmën e Shteteve të Bashkuara, të nisë luftën  ndaj karteleve të drogës dhe t’i fshijë nga faqja e dheut”, ka shkruar Trump në rrjetin social Twitter.

Kurse Presidenti i Meksikës Andres Manuel Lopez Obrador tha se do të diskutojë me Presidenti Trump për çështjen e sigurisë dhe ndihmesën që do të ofrojë SHBA. Sidoqoftë, ai nuk e pranoi qasjen e kreut të Shtëpisë së Bardhë, duke u shprehur: “Gjëja më e keqe që mund të bëjmë është lufta”.

Nëntë pjesëtarë të familjes amerikane Mormon mbetën të vrarë teksa po udhëtonin me 3 fuoristrada në veri të Meksikës në Sonora. Atyre iu bë pritë nga anëtarë të karteleve të drogës të cilët qëlluan me armë dhe u vunë flakën makinave.

Një zyrtar meksikan i sigurisë, Alfonso Durazo, është shprehur se anëtarët e kartelit të drogës mund të kenë ngatërruar fuoristradat e qytetarëve amerikanë me anëtarë të bandave rivale dhe për këtë arsye i sulmuan egërsisht. Gjashtë fëmijë të tjerë mbetën të plagosur nga ky sulm dhe ndodhen dërguar në spital për trajtim mjekësor. /tvklan.al