Prag lufte mes aleatëve Perëndimorë dhe Rusisë në Siri. Presidenti amerikan Donald Tramp paralajmëroi gjatë një mbledhje në Shtëpinë e Bardhë kundërpërgjigje ushtarake ndaj regjimit sirian që sipas tij javën e kaluar vrau me gaz sarin civilë të pafajshëm.

“Dënoj këtë sulm të urryer ndaj sirianëve të pafajshëm me armë kimike. Ishte i tmerrshëm. Po e shqyrtojmë situatën edhe me krerët e ushtrisë dhe do të dalim me një vendim të madh brenda 48 orëve”.

Presidenti amerikan diskutoi edhe me homologun francez. Zëdhënësit e qeverisë në Paris thanë se nëse vërtetohet përdorimi i armëve kimike, do t’i bashkohen amerikanëve në sulm. Edhe Britania e Madhe është e gatshme të bëhet pjesë, siç konfirmoi Kryeministrja Theresa May. Mediat britanike shkruajnë se Londra ka gati skemën e sulmit.

Tensionet mes Perëndimit dhe Rusisë shoqëruan edhe mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për këtë çështje. Ambasadori rus Vasili Nebenzia paralajmëroi Shtetet e Bashkuara për pasoja të rënda nëse sulmon Sirinë. Ndërsa përfaqësuesja amerikane Niki Haley akuzoi Moskën se kërcënon pasi i lyer duart me gjakun e fëmijëve të vrarë sirianë.  

Tv Klan