Presidenti i SHBA-ve Donald Trump ka insistuar se shuma e paguar ndaj dy grave të cilat thonë se ai kishte marrëdhënie me ato, nuk shkelin rregullat e fushatës zgjedhore.

Kjo deklaratë vjen pasi ish-avokati i tij, Michael Cohen, u akuzua për shkelje të ligjeve gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016.

Në një intervistë për Fox & Friends, Trump tha se pagesat kishin ardhur prej tij personalisht, jo nga fushata.

Ai në të kaluarën ka mohuar të ketë dijeni për pagesat e bëra.

Trump gjithashtu akuzoi Cohen se ka shpikur histori për të përfituar një dënim më të lehtë.

Në një fragment nga intervista Fox & Friends, Trump u përgjigj rreth pagesave që janë dhënë për të blerë heshtjen e grave, duke këmbëngulur se ato nuk ishin “një shkelje e fushatës”.

“Paratë erdhën nga unë”,

tha ai. “Dhe unë shkrova në Twitter rreth kësaj, ato nuk dolën nga fushata”. Ai shtoi se u vu në dijeni për pagesat, pasi ato ishin bërë.

Komentet e tij bien në kundërshtim me një deklaratë të bërë më parë nga Cohen nën betim, në të cilën ai tha se presidenti e kishte udhëzuar atë të kryente pagesat.

Në Korrik, Cohen publikoi regjistrime audio të tij ku thuhet se Trump diskutonte për një nga pagesat para zgjedhjeve.

Cohen, i cili ishte avokati personal i  Trump për më shumë se një dekadë, pranoi kryerjen e pagesave për dy gratë që mendohet të jenë aktorja pornografike Stormy Daniels dhe ish modelja e Playboy Karen McDougal.

Paratë e dhënë në këmbim të heshtjes nuk u raportuan në Komisionin Federal të Zgjedhjeve gjatë fushatës, shkruan BBC.

Çështja është nëse pagesat janë kryer për të mbrojtur reputacionin personal të Trump apo për të mbrojtur imazhin e tij si kandidat presidencial.

Sipas rregullave zgjedhore të SHBA-së, duhet të raportohet çdo pagesë e bërë me qëllim për të ndikuar të votimet.

Cohen pranoi në gjykatë se qëllimi ishte për të mbrojtur kandidaturën e Trump, duke thënë se ai kishte paguar paratë “me urdhrin e Trump” .

Nëse Trump do të ndiqej penalisht mbi pagesat, jo përmes gjykatave normale, sepse ai është president, por me shumë mundësi në Kongres, përmes një procesi akuzimi- hetuesve do ju duhej të provonin që paratë janë dhënë për qëllime elektorale./tvklan.al