Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi me një postim në rrjetet sociale të enjten se SHBA-të, pas 52 vitesh, njohin zyrtarisht sovranitetin e Izraelit mbi Lartësitë Golan, të pushtuara gjatë luftës së vitit 1967.

“Pas 52 vitesh është koha që Shtetet e Bashkuara të njohin plotësisht sovranitetin e Izraelin mbi Lartësitë Golan, të cilat janë të një rëndësie kritike strategjike dhe sigurie për shtetin e Izraelit dhe Stabilitetin Rajonal!”, shkroi Trump.

Deklarata e Trump, e cila mund të rrisë tensionin në rajon, vjen një javë pasi Departamenti amerikan i Shtetit hoqi fjalën “e pushtuar” në referencë për Lartësitë Golan, në raportin vjetor për të drejtat e njeriut.

Izraeli pushtoi Lartësitë Golan, të cilat popullohen kryesisht nga komunitetet druze, në vitin 1967 dhe zyrtarisht i aneksoi nga Siria në vitin 1981.

Komuniteti ndërkombëtar nuk e njeh sovranitetin e Izraelit mbi këtë territor prej 1800 kilometrash katror, por konflikti disavjeçar në Siri ka ndërlikuar çështjen e sovranitetit.

Forcat e Asadit, të mbështetura nga Hezbullahu dhe militantë të mbështetur nga Irani përleshen rregullisht me forcat rebele në anën tjetër të kufirit të vendosur de facto nga Izraeli. /tvklan.al