Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se situata me pandeminë në SHBA mund të “përkeqësohet para se të bëhet më mirë”.

Trump, gjithashtu u kërkoi të gjithë amerikanëve të mbajnë maska në fytyrë, duke thënë se ato “do të kenë një efekt” dhe se mbajtja e tyre tregon “patriotizëm”.

Presidenti Trump më herët nuk ka qenë insistues për mbajtjen e maskës, por ka thënë se ajo duhet të jetë zgjedhje e secilit.

Kjo ishte konferenca e parë për media e task-forcës së Shtëpisë së Bardhë pasi ato ishin ndërprerë muaj më parë.

Task-forca, e udhëhequr nga zv/presidenti amerikan, Mike Pence, e ka informuar publikun çdo ditë në Mars dhe në Prill, por Trump i kishte pezulluar konferencat, për shkak të kritikave se nganjëherë jepnin informacione konfuze.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, numri i të infektuareve në SHBA ka arritur në mbi 3.9 milionë, ndërsa i viktimave në mbi 142,000. /REL