Në një shfaqje të pa precedentë në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Donald Trump dhe Presidenti Volodymyr Zelensky u përplasën ashpër mes tyre duke tensionuar takimin dhe lënë pa shpresa përpjekjet për paqe mes Kievit dhe Moskës.
“Ju ose do të bëni një marrëveshje ose ne do të dalim. Ju jeni duke luajtur bixhoz me jetën e miliona njerëzve. Ju jeni duke luajtur kumar me Luftën e Tretë Botërore dhe kjo që po bëni është mungesë respekti për këtë vend”, tha Presidenti Putin.
I menjëhershëm ishte kundërpërgjigjja e Presidentit të Ukrainës i cili akuzoi Putin si kriminel.
“Nuk kam ardhur këtu të luaj bixhoz. Putin është një kriminel, ai e nisi luftën edhe duhet të paguajë, duhet të ndalet, ne nuk kemi asnjë kompromis me një vrasës”, tha Presidenti Zelensky.
Por tensioni u shtua edhe më shumë kur në diskutime u përfshi edhe zëvendëspresidenti JD Vance i cili tha se “diplomacia” ishte e nevojshme për t’i dhënë fund luftës. Por Zelensky pyeti “çfarë lloj diplomacie” dhe Vance më pas e akuzoi atë për “mosrespektim” në zyrën e presidentit.
Këto tensione bënë që të anulohej konferenca e përbashkët dhe sipas mediave amerikane Zelenskyt dhe stafit të tij iu kërkua nga Sekretari i Shtetit të linte Shtëpinë e Bardhë. Largim ky që ndodhi pa nënshkruar marrëveshjen e parashikuar për mineralet e rralla.
Presidenti Donald Trump në një reagim të menjëhershëm pas largimit të Zelenskyt nga Shtëpia e Bardhë tha se ai nuk ishte gati për marrëveshje paqeje kur përfshihet edhe Amerika.
“Kam arritur në përfundimin që Presidenti Zelensky nuk është gati për paqe nëse përfshihet Amerika, sepse ai mendon se përfshirja jonë i jep atij një avantazh më të madh në negociata. Unë nuk dua avantazhe, dua paqe. Ai ofendoi Shtetet e Bashkuara në Zyrën Ovale. Ai mund të vij përsëri kur të jetë gati për paqe”, tha Presidenti Trump.
Kundërpërgjigjja e Zelenskyt ishte e menjëhershme po në rrjetet sociale.
“Faleminderit, Amerikë, faleminderit për mbështetjen tuaj, faleminderit për këtë vizitë. Faleminderit Presidentit, Kongresit dhe popullit amerikan. Ukraina ka nevojë për paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, dhe ne po punojmë pikërisht për këtë”, shkruan Zelensky.
Por duket se pasojat do të jenë të shumta për Ukrainën pasi një ndër veprimet e menjëhershme të Departamentit të Shtetit është dhënia fund e mbështetjes amerikane për restaurimin e rrjetit energjetik të Ukrainës.
Klan News