Pas konfirmimit formal të fitores së Kolegjit Elektoral të Presidentit të Zgjedhur Joe Biden, nga Kongresi Amerikan, Presidenti Donald Trump tha se vendimi “përfaqëson fundin e mandatit të parë më madhështor në historinë presidenciale”.

“Ndonëse jam totalisht kundër rezultatit të zgjedhjeve dhe faktet janë me mua, pavarësisht kësaj më 20 Janar do të ketë një tranzicion të rregullt”, tha Trump në një deklaratë.

Kam thënë gjithmonë se do të vijonim luftën për të siguruar që vetëm votat e rregullta të numëroheshin. Teksa kjo përfaqëson fundin e një e mandati madhështor të parë në historinë presidenciale, është vetëm fillimi i luftës tonë për ta bërë Amerikën e madhe sërish”, tha Trump.

Kongresi miratoi këtë të enjte në një sesion të përbashkët të dy dhomave asaj të përfaqësuesve dhe Senatit, zgjedhjen e Joe Biden si president i 46 i Shteteve të Bashkuara.

4 persona u vranë gjatë trazirave që shkaktoi mësymja e mbështetësve të Trump-it brenda në Kongres. Mes tyre, viktima e parë ishte Ashley Babbitt, 35-vjeçe, veterane e Forcave Ajrore Ushtarake ku ka shërbyer për 14 vjet. Ajo u qëllua për vdekje nga forcat e sigurisë. 52 protestues u arrestuan. Mbështetësit e Trump hynë deri në sallën e Senatit.

Punimet u rikthyen pasi Forcat Speciale nxorrën jashtë dhe shpërndanë manifestuesit./tvklan.al