Presidenti amerikan Donald Trump tha se nuk pret shumë nga takimi me homologun rus Vladimir Putin në Finlandë të hënën. Por duke folur për televizionin amerikan CBS, shefi i Shtëpisë së Bardhë u shpreh se asgjë të keqe nuk do të sillte ky takim. Trump madje u shpreh optimist për rezultatin.
Një nga çështjet që do të diskutohen do të jetë ajo e 12 rusëve të paditur për sulme kibernetike gjatë zgjedhjeve të 2016-s në SHBA. Por presidenti amerikan tha se nuk ka ndërmend të kërkojë ekstradimin e tyre. Rusia i mohon akuzat, por këshilltari amerikan i sigurisë kombëtare Xhon Bolton tha se është e vështirë të besosh që Putin nuk kishte dijeni për sulmet kibernetike.
Megjithatë, Bolton tha se presidenti do të dëgjojë opinionin e Putinit për këtë çështje. Shefi i Shtëpisë së Bardhë mori si shembull pozitiv edhe takimin me Kim Jong Un-in, të cilin e vlerësoi si frytdhënës. Ai premtoi se do të flasë me Putin për të gjitha çështjet, pasi dialogu është baza e zgjidhjes së problemeve.
Në Finlandë janë zhvilluar protesta jo vetëm kundër Trump, por edhe kundër takimit të tij me Putin. Protestuesit në Helsinki i kërkuan Trump-it që të përqendrohet tek çështja e të drejtave të njeriut.
Tv Klan