Presidenti i SHBA, Donald Trump tha se Rusia “duhet të tërhiqet” nga Venezuela. Komentet bëhen pas arritjes së personelit ushtarak rus ditët e fundit në Venezuelë.

“Të gjitha opsionet janë të hapura”,

tha disa herë Presidenti Trump të mërkurën në përgjigje të pyetjes së një gazetari nëse Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të dërgojnë trupa në terren për të hequr rusët.

Presidenti shtoi se Moska është shumë e vetëdijshme për qëndrimin e SHBA. Presidenti Trump komentoi për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, në prani të zonjës Fabiana Rosales, gruaja e udhëheqësit të opozitës venezueliane dhe presidentit të vetëshpallur, Juan Guaido.

Ajo shkoi në Zyrën Ovale pas një takimi me zëvendëspresidentin Mike Pence.

“Shtetet e Bashkuara e shohin ardhjen e aeroplanëve ushtarakë të Rusisë këtë fundjavë si një provokim të padëshiruar,”

tha zoti Pence gjatë takimit me zonjën Rosales në dhomën Roosevelt të Shtëpisë së Bardhë.

“Ne i bëjmë thirrje Rusisë sot që të ndalë të gjithë mbështetjen ndaj regjimit të Maduros dhe të qëndrojë me Juan Guaido-n, të qëndrojë me vendet e të gjithë kësaj hemisfere dhe të gjithë botës, derisa të rivendoset liria”

, tha Nënpresidenti Pence.

“Sot, në Venezuelë, është liri ose diktaturë. Është jeta ose vdekje”

, tha zonja Rosales. “

Dhe ata që paguajnë çmimin e kësaj urrejtjeje janë fëmijët”.

Ajo shtoi se fëmijët po vdesin nëpër spitale të cilat nuk kanë energji elektrike ose furnizime mjekësore të nevojshme, dhe fëmijët e tjerë po pësojnë “sepse nuk kanë ushqim”.

Shtetet e Bashkuara, së bashku me dhjetra vende të tjera, e kanë njohur zotin Guaido si president të përkohshëm të vendit, ndërsa Rusia ka mbështetur presidentin Nicolas Maduro.

Zoti Guaido, u bëri thirrje mbështetësve të protestojnë të shtunën kundër ndërprerjeve të energjisë në mbarë vendin.

Ministrat e kabinetit Maduro kanë akuzuar Shtetet e Bashkuara për sabotimin e rrjetit të energjisë elektrike, duke përfshirë një sulm me internet në digën kryesore hidroelektrike të Venezuelës.

“Tetëdhjetë përqind e popullsisë në Venezuelë nuk ka energji elektrike”,

tha gruaja e zotit Guaido në Shtëpinë e Bardhë. “Ata po përpiqen të thyejnë moralin tonë. Ata duan të na zhytin në errësirë të përjetshme. Por më lejoni t’ju them se ka dritë dhe drita është këtu.”

Përpjekjet për të sjellë ndihmë humanitare në Venezuelë nga Kolumbia nuk kanë patur sukses.

“Maduro nuk lejon ndihmat,” tha Presidenti Trump të mërkurën në Zyrën Ovale. “Kemi dërguar qindra milionë dollarë ndihmë në kufi. Ai nuk lejon marrjen e ndihmës. Për të, më mirë njerëzit e tij të vdesin nga uria sesa të marrin ndihma. Nuk mendoj se kjo është gjë e mirë, as edhe politikisht, qoftë edhe nga një diktator”.

Ai shtoi se “kjo nuk duhej të ndodhte në Venezuelë”. Presidenti fajësoi administratat e mëparshme të SHBA për mos zgjidhjen e çështjes venezueliane. “Kjo është një tragjedi,” tha ai.

Presidenti shtoi se kishte “trashëguar një kaos” me Venezuelën dhe çështje të tjera të politikës së jashtme.

Sipas njoftimeve, dy avionë rusë sollën të shtunën në aeroportin kryesor të Karakasit një zyrtar rus të mbrojtjes dhe rreth 100 trupa.

“Rusia ka kontrata të ndryshme që janë në proces realizimi, kontrata me karakter ushtarak teknik”,

tha shërbimi i lajmeve Sputnik në pronësi të qeverisë ruse. Sipas kësaj agjencie, zyrtarët kanë shkuar në Venezuelë për të “shkëmbyer konsultime”.

Disa analistë e shohin retorikën e zotit Trump, duke i shtuar kësaj praninë e forcave ruse në Venezuelë, si diçka që e shton rrezikun e një konfrontimi atje.

“Rusët po kërkojnë të projektojnë forcë pranë Shteteve të Bashkuara, siç kanë bërë në të kaluarën, si dhe të tregojnë solidaritet dhe mbështetje për regjimin e Maduros”,

thotë Michael Shifter, president i Dialogut Ndër-Amerikan, një institut studimesh transnacional.

“Shtetet e Bashkuara e dinë se Rusia mund t’i japë Maduros pak osigjen dhe hapësirë për frymëmarrje por nuk ka aftësinë apo vullnetin për ta shpëtuar Venezuelën”

, tha ai.

Por nëse Uashingtoni zgjedh përfundimisht alternativën ushtarake në Venezuelë, parashikon zoti Shifter, “rusët nuk do të ishin të gatshëm për ta mbrojtur Maduron.”

Analisti i tha Zërit të Amerikës se në thelb janë rangjet e larta të ushtrisë së Venezuelës që e mbajnë Maduron në pushtet.

“Administrata Trump duhet të përqëndrohet te kjo sfidë, jo duke dhënë kërcënime dhe ultimatume për gjeneralët, të cilat nuk kanë funksionuar, por duke u përpjekur të organizojnë dhe lehtësojnë negociata serioze për të arritur një marrëveshje që do t’i hapte rrugën një tranzicioni demokratik”

, tha zoti Shifter, i cili shtoi se “

kjo sigurisht që do të ishte një detyrë e ndërlikuar dhe e vështirë, por pa këtë, vështirë të kesh shumë besim se kriza mund të zgjidhet

“. /VOA