Trump sfidon Biden: Të bëjmë testin e drogës


Trump sfidon Biden: Të bëjmë testin e drogës

12:25 28/09/2020

Presidenti dyshime mbi luhatjen e performancës së kundërshtarit

Në prag të debatit të parë publik mes rivalëve për garën presidenciale të 3 Nëntorit, Presidenti amerikan Donald Trump sfidon rivalin e tij demokrat Joe Biden që së bashku të bëjnë testin e drogës.

Trump hodhi dyshime se Biden përdor lëndë narkotike për të rritur performancën në daljet e tij publike. Kandidati republikan e quajti “gjumash” rivalin demokrat duke nënkuptuar se ai nuk ka aftësi oratorike.

Por siç tha në një postim në Twitter, luhatjet e performancës së tij në debate kanë qenë të pazakonta, ndaj dhe ngre dyshime se vetëm përdorimi i barnave mund t’ia ketë shkaktuar këtë.

Në sulmet publike ndaj rivalit demokrat, Trump ka hedhur shpesh herë dyshime për mprehtësinë mendore të Biden që është aktualisht 77 vjeç, i cili nëse zgjidhet, do të jetë presidenti më i moshuar në historinë e Shteteve të Bashkuara.

Komentet më të fundit të Trump u bënë pak momente pasi New York Times publikoi disa dokumente që tregojnë se ai ka shmangur masivisht pagesën e taksave ndër vite.

Dy rivalët do të përballen në debatin e parë 90 minutësh, mbrëmjen e të martës në Fox News. Ata do të zhvillojnë gjithsej 3 debate deri në zgjedhjet e 3 Nëntorit, kur Trump synon marrjen e një mandati të dytë presidencial por Biden kryeson dukshëm në sondazhe ndaj Trump.

Tv Klan





Të ngjashme