Donald Tramp propozon shpërnguljen e palestinezëve nga Rripi i Gazës drejt vendeve të tjerë, për t’u dhënë fund vuajtjeve të tyre.

“Po të shohësh ndër dekada, ka patur vetëm vdekje në Gaza. Të gjejmë një vend të bukur për të zhvendosur përgjithmonë banorët e Gazës, në shtëpi të këndshme, ku të jenë të lumtur, të mos qëllohen, të mos theren e vriten siç ndodh aty.”

Në takimin me kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu në Uashington, të parin me një lider të huaj pas rizgjedhjes president, shefi i Shtëpisë së Bardhë propozoi që Shtetet e Bashkuara të marrin nën administrin këtë territor.

“Shtetet e Bashkuara do të pastrojnë Rripin e Gazës nga bombat e pashpërthyera dhe armët e tjera, nga rrënojat e do ta zhvillojmë ekonomikisht për të krijuar vende pune pa kufij dhe shtëpi për njerëzit e asaj zone… Riviera e Lindjes së Mesme mund të jetë e mrekullueshme.”

Plani u refuzua kategorikisht në emër të palestinezëve nga zyrtari i lartë i Hamasit Izat el Reshik, i cili i bëri thirrje Trampit të tërheqë këto propozime. Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se Rusia mbështet krijimin e shtetit palestinez në krah të atij izraelit. Planin e kundërshtoi kategorikisht edhe kryediplomati turk Hakan Fidan dhe ministria e Jashtme e Kinës.

Tv Klan