Presidenti i SHBA Donald Trump ka sinjalizuar për një fund të mundshëm të rritjes së tarifave ndërmjet SHBA-së dhe Kinës.

“Unë nuk dua që ato të shkojnë më lart, sepse në një moment të caktuar ju arrini atje ku njerëzit nuk blejnë,” u tha Trump gazetarëve në lidhje me tarifat në Shtëpinë e Bardhë.

Ai tha se me Kinën ka qenë në kontakt që nga vendosja e tarifave dhe shprehu optimizëm se ata mund të arrinin një marrëveshje.

“Unë kam një marrëdhënie shumë të mirë me Presidentin Xi Jinping dhe mendoj se do të vazhdojë. Ata më kanë kontaktuar disa herë. Besoj se do të kemi një marrëveshje me Kinën dhe nëse nuk e bëjmë, ne do të kemi një marrëveshje gjithsesi sepse do të vendosim një objektiv të caktuar”, tha Presidenti Donald Trump.

Presidenti amerikan vendosi tarifa 10% për shumicën e mallrave që hyjnë në vend, por vonoi zbatimin e tarifave më të larta, në pritje të negociatave. Megjithatë, ai rriti tarifat ndaj importeve kineze në masën 145%, pasi Pekini vendosi kundërmasat e veta. Javën e kaluar, Kina tha se “nuk do t’i përgjigjet” një “lojë numrash me tarifat”, nje sinjal se tarifat e përgjithshme nuk do të rriteshin më tej.

Bisedimet midis Shteteve të Bashkuara dhe vendeve te tjera priten gjatë ditëve në vijim, ndërsa shumica e tarifave janë pezulluar për 90 ditë.

Nga ana tjetër, para gazetarëve në Zyrën Ovale, Trump u shpreh se tensionet tregtare me Kinën mund të vonojnë vendimet në lidhje me operacionet e TikTok në SHBA.

Klan News