Administrata e Presidentit amerikan Donald Trump ka vijuar me një strategji tjetër për të larguar nga vendi emigrantët e paligjshëm.

Së fundmi, mësohet se autoritetet për emigracionin kanë gjobitur me shuma të majme personat që nuk pranojnë të ikin.

Wendy Ortiz, 32 vjeçe, tha për agjencinë e lajmeve Reuters se ka mbetur e habitur nga kjo gjobë. Ajo merr 13 Dollarë në orë me punën që bën në një fabrikë përpunimi mishi në Pennsylvania.

Prej 10 vitesh ka jetuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pasi u largua nga El Salvadori për t’i shpëtuar dhunës së ish-partnerit dhe kërcënimeve të bandave. Rroga mezi i mbulon shpenzimet për djalin 6-vjeçar me nënshtetësi amerikane.

“Nuk është e drejtë. Ku do i gjej kaq shumë para?”, tha ajo në një intervistë.

Javët e fundit, Presidenti Trump ka futur në aksion një plan për të gjobitur emigrantët që nuk e lenë territorin e SHBA-ve edhe pasi ndaj tyre ka vendim përfundimtar për t’ dëbuar.

Të paktën 4500 emigrantëve u kanë shkuar ndëshkime, vlera totale e të cilave arrin në 500 milionë dollarë, sipas burimeve të Reuters nga një zyrtar i lartë i administratës Trump.

Agjencia e lajmeve konfirmoi nga tetë avokatë që merren me çështjet e emigrantëve se klientët e tyre janë gjobitur nga mijëra dollarë deri në 1.8 milionë Dollarë.

Ata janë njoftuar se kanë 30 ditë kohë për ta kundërshtuar atë.

Këto gjoba të majme janë pjesë e përpjekjes agresive të Donald Trump për të larguar emigrantët e paligjshëm vullnetarisht, ose siç e përshkruajnë mediat, “të vetëdëbohen”.

Sipas planit të tij, gjoba për emigrantët që nuk ikin edhe pas urdhrit të dëbimit mund të arrijnë në 998 Dollarë në ditë dhe t’i lëshojnë për një periudhë deri në 5 vite.

Kjo do të çojë që maksimumi i ndëshkimit të jetë në 1.8 milionë Dollarë dhe nëse edhe në këtë moment gjoba nuk paguhet, qeveria mund të konsiderojë sekuestrimin e pronës së emigrantit.

Megjithatë, siç shkruan Reuters mbetet e paqarë sesi administrata Trump do t’i mbledhë gjobat dhe sekuestrojë pronat./tvklan.al