Sanksionet do të jenë edhe më të ashpra

Presidenti amerikan Donald Trump vendos të shmangë konfliktin e armatosur me Iranin. Shefi i Shtëpisë së Bardhë njoftoi se nuk pati asnjë viktimë nga radhët e amerikanëve dhe irakianëve në sulmin me raketa nga Garda Revolucionare Iraniane ndaj bazave ajrore të Shteteve të Bashkuara në Irak, ndonëse Teherani foli për 80 të vrarë, të gjithë irakianë. Trump e sheh këtë si shenjë se Irani kërkon çtensionimin e situatës.

“Nuk patëm viktima. Ushtarët tanë janë të sigurtë, ndërsa në bazat tona pati vetëm dëme minimale. Ushtria jonë madhështore është e përgatitur për gjithçka. Irani duket se po tërhiqet çka është një gjë e mirë për të gjitha palët por edhe për gjithë botën”.

Presidenti Trump e konsideroi ish-komandantin e vrarë të Gardës Revolucionare, Kasem Sulejmanin, si një lider terrorist. Ai kërcënoi Iranin me sulm ushtarak, nëse godet sërish bazat amerikane, por ndëshkimi amerikan për sulmin e kësaj të mërkure do të jetë shtimi i sanksioneve ekonomike, që do të qëndrojnë në fuqi deri kur ky vend të ndryshojë sjelljen. E po ashtu, ai foli për një marrëveshje të re bërthamore.

“Vendet e botës e kanë toleruar gjatë sjelljen shkatërruese dhe destabilizuese të Iranit në Lindjen e Mesme dhe më gjerë. Por ato ditë kanë marrë fund. Përsa kohë që unë të jem President, Irani nuk do të lejohet të ketë armë bërthamore”.

Ministri i jashtëm iranian, Javad Zarif paralajmëroi përshkallëzim të sulmeve nëse amerikanët kundërpërgjigjen. Sipas tij, nuk është Irani që po nis luftën, por vazhdues i saj.

“Nëse Shtetet e Bashkuara ndërmarrin veprime të tjera, Irani do të përgjigjet në një mënyrë tepër të ashpër por proporcionale”.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Lajen kërkoi të ndalet menjëherë përdorimi i armëve dhe t’i hapet rrugë dialogut, ndërsa liderët europianë dënuan sulmin iranian ndaj bazave amerikane në Irak.  

Garda Revolucionare Iraniane sulmoi me raketa rreth orës 02:00 të mëngjesit të kësaj të mërkure, dy baza ajrore amerikane atë të Ain Asadit në perëndim të Bagdadit dhe ajo e Irbilit në veri të Irakut, si shpagim ndaj vrasjes së ish-komandantit të saj Kasem Sulejmani nga dronët amerikanë në Bagdad.

Tv Klan