Bëri një hap pas në vendimmarrje, por as që mendon të tërhiqet përballë kërcënimit iranian. Presidenti Donald Trump paralajmëroi Teheranin se do të shfaroset krejtësisht nëse nis konflikti ushtarak.

Në një intervistë për NBC, shefi i Shtëpisë së Bardhë rrëfeu bisedat me gjeneralët dhe arsyen përse ndryshoi mendim në minutën e fundit për të mos e sulmuar Iranin.

“U thashë sa persona do të vriten? Më thanë rreth 150 persona, në këtë rast iranianë. Për një çast mendova, ata rrëzuan një avion pa pilot ndërsa ne do të vrisnim 150 njerëz, mendova se nuk do të ishte në proporcion të drejtë”.

Siç konfirmoi vetë Trump, Shtetet e Bashkuara do të godisnin 3 pozicione të ndryshme iraniane, që me shumë gjasë do të provokonin luftë mes Uashingtonit dhe Iranit. Megjithatë Trump theksoi se është i hapur për zgjidhjen e tensioneve me dialog. Edhe kryetarja demokrate e Dhomës së Përfaqësuesve, Nensi Pelosi përgëzoi presidentin për vetëpërmbajtjen.

Tensionet mes dy vende arritën kulmin pas rrëzimit të dronit amerikan nga Teherani, me pretendimin se kishte shkelur hapësirën ajrore iraniane.

Tv Klan