Donald Trump e urdhëroi ish-avokatin e tij Michael Cohen të gënjejë Kongresin mbi përpjekjet për ndërtimin e një kulle “Trump” në Moskë.

Burimet thanë për mediat amerikane se prokurori special Robert Mueller ka në dorë dokumente që vërtetojnë se gjatë fushatës presidenciale të 2016-ës, Trump i kishte kërkuar avokatit Cohen që të organizonte një vizitë në Moskë ku të takohej me presidentin Putin. ‘BuzzFeed’ citon fjalët që Trump i tha avokatit “bëje të ndodhë” për takimin me presidentin rus. Gjatë asaj vizite, miliarderi nga New York do të niste edhe bisedimet për realizimin e planit.

Prokurori special Robert Mueller i vlerësoi si mashtrime pretendimet e mëhershme të Michael Cohen se projekti ishte mbyllur që në Janar 2016, për të mos përkuar me datat e fushatës presidenciale të Trump. Demokratët kanë kërkuar hetime për këtë rast. Gjykatësit amerikanë e dënuan Cohen me 3 vite burg për mashtrime me taksat dhe për korruptimin me 130 mijë Dollarë të pornostares Stormy Daniels për të heshtur për aferat e dikurshme me Trump.

Mueller po heton për dyshimet se shërbimet sekrete ruse ndihmuan Trump të zgjidhjej president në Nëntor të 2016-ës.

Tv Klan